Ndërlidhjet

ZENELI: TË GJITHA OPSIONET PËR KRIJIMIN E QEVERISË JANË TË MUNDURA


Bernard Zeneli, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, si i vlerësoni votimet për parlamentin e Kosovës?

BERNARD ZENELI
Në përgjithësi të qeta. Unë jam pak i zhgënjyer me numrin e vogël të votuesve që ka dalë për të votuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Rezultatet e para paraprake jozyrtare flasin për ndryshime shumë të vogla në shpërndarjen e votave partive politike. Si mund të shpjegohet kjo?

BERNARD ZENELI
Kryesisht, unë e shpjegoj me numrin e vogël të votuesve. Kur numri i votuesve është i vogël, atëherë nuk priten ndryshime shumë të mëdha në përqindje. E dyta, tregon që ka një mosinteresim për sa i takon formulës aktuale të qeverisjes, të forcave politike që e kanë në dorë qeverisjen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është ky një kushtëzim që qeveria e re të krijohet me koalicion?

BERNARD ZENELI
Ma merr mendja se po. Domethënë, do të jetë një qeveri me bazë të gjerë koalicioni, ku do të përfshihen të gjitha forcat politike. Në njërin aspekt kjo është shumë mirë, sepse ju jep mundësi të gjitha forcave politike të mësohen me proçesin e qeverisjes. Shpresoj se kjo do të ndodhë këtë radhë dhe nuk do të kemi vetëm përpjekje që të marrim pushtetin, por shpresoj që do të kemi një përpjekje që të mësohet si qeveriset dhe në radhë të dytë, kjo jep mundësi që në bisedimet e ardhshme, që priten të intensifikohen, për sa i takon të ardhmes së Kosovës, të marrin pjesë një numër i madh grupimesh politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që sa më shpejt të konstituohet qeveria e re. Si do të duket kjo qeveri sipas jush, mbështetur në rezultatet paraprake të dhëna mbrëmë?

BERNARD ZENELI
Do të kemi parasysh që këto që themi janë shumë të pasakta, sepse akoma nuk i dimë rezultatet përfundimtare, por duke u nisur nga ato që janë thënë deri dje, unë do të thoja që ka dy mundësi. E para, do të jetë një qeveri me bazë shumë të gjerë koalicioni, ku do të përfshihen të gjitha partitë. E dyta mund të jetë, domethënë me këto numra, i jepet mundësia e krijimit të koalicioneve pozitë-opozitë. Mund të kemi një pozitë shumë të madhe, ato që quhen "koalicione të mëdha", për atë kemi dy partitë që kanë fituar shumicën, të merren vesh me njëra tjetrën, të bashkëpunojnë ato dyja dhe partitë e tjera t’i nxjerrin në opozitë, ose mund të ketë lojëra të ndryshme, mekanizma të ndryshëm, të cilat, ma merr mendja që do t’i ketë në dorë partia që ka fituar shumicën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili do të jetë ndikimi i partive që kanë fituar vota minimale, me rastin e bisedimeve për formën e qeverisjes dhe ndërtimin e koalicioneve qeverisëse?

BERNARD ZENELI
Varet, do të thoja, nga dy elemente: presioni ndërkombëtar, për t'i përfshirë këto parti, sa i madh do të jetë. Veçanërisht e them këtë, kur flitet për partitë e etnive të ndryshme nga ajo e shqiptarëve dhe në radhë të dytë, nga fuqia që do të ketë partia që ka fituar shumicën deri tani, për t'i thirrur këto partitë e vogla në koalicion. Pra do të ketë një matematikë shumë të fuqishme elektorale nga partia me shumicë, por nga ana tjetër, pritet edhe presioni nga ndërkombëtarët. Këtu e shikoj rolin. Ato vetë, nuk ma merr mendja që do të mund të luajnë ndonjë rol, në qoftë se nuk hyjnë në lojë këto dy elementë, ndërkombëtarët dhe partia që ka fituar shumicën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti Zeneli, serbët e Kosovës kanë votuar me një numër simbolik dhe kjo pjesëmarrje është cilësuar nga vëzhguesit edhe si bojkot. Cila do të jetë fuqia vendimmarrëse e përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës?

BERNARD ZENELI
Në fakt, kjo është shumë e vështirë për t'u thënë. Numri, diku 300-400 i votuesve në votimet e djeshme, me gjithë mend ka qenë zhgënjyes në shumë aspekte, por nga ana tjetër tregon edhe pamundësinë e identifikimit të këtij grupi etnik brenda Kosovës. Se çfarë roli do të luajnë ata, unë do të thoja që këtu është pikërisht momenti, ku ndërkombëtarët në bashkëpunim me forcat politike shqiptare dhe me Beogradin, do të duhet të ulen dhe të bisedojnë më thellësisht për karakterin që do të marrë bashkëpunimi me këtë grup etnik brenda Kosovës, sepse deri tani ata janë pa drejtim politik. Nuk dinë të anojnë nga Beogradi apo të anojnë nga Prishtina. Edhe në qoftë se anojnë nga Beogradi, ata nuk e dinë se cilin mësim duhet të ndjekin. Më bënë shumë përshtypje, ndërkohë, që një rol të fuqishëm e ka marrë kisha orthodokse.

RADIO EVROPA E LIRË
Si pasojë e mosvotimit të serbëve, në Parlamentin e Kosovës nuk do të ketë përfaqësues serbë të zgjedhur me votën e lirë. Në anën tjetër përfaqësuesit serbë në Parlament do t’i kenë vendet e rezervuara. Sa mund t’i pranojë popullata serbe si legjitime vendimet e këtyre përfaqësuesve? Cili është komenti juaj?

BERNAR ZENELI
Aty, domethënë, që kur është marrë vendimi për të patur vende të rezervuara, është pasur parasysh kjo mundësi, domethënë mundësia e bojkotit. Legjitimiteti i atyre, unë do të thoja që nuk bazohet aq shumë nga votuesit, se sa tek marrëveshjet që përmenda pak më lart. Dhe në qoftë se bien dakord që të zgjidhet një grup njerëzish, të cilët me gjithë mend do të mendojnë për vendosjen e këtij grupi etnik në baza reale, në jetën shoqërore, politike, ekonomike të Kosovës, kjo mund të ketë efekt. Por, unë kam pikëpyetje shumë të mëdha nëse do të ketë njerëz të tillë, të cilët me gjithë mend do të përfaqësojnë interesin e këtyre njerëzve që jetojnë brenda Kosovës, me gjitha hallet dhe problemet që ata i kanë, në Parlamentin e Kosovës. Këtë e kam me pikëpyetje, sepse në përgjithësi, siç e kemi parë, ata kanë qenë të instrumentalizuar, thashë, nga kisha orthodokse, politika e ndryshme që po vjen tani nga Beogradi, me dy tre forma, presioni nga ndërkombëtarët dhe ndikimi që jep të jetuarit në Kosovë me presionin shumë të madh nga shumica shqiptare.

Intervistoi: Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG