Ndërlidhjet

KRYETARËT E PARTIVE NUK PËRJASHTOJNË MODELET E QEVERISJES MBI BAZA KOALICIONI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryetarët e partive më të mëdha në Kosovë, nuk e kanë përjashtuar sot asnjërin prej modeleve të ndërtimit të koalicionit të ardhshëm qeveritar, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve nuk e kanë nxjerrë asnjërin subjekt politik si fitues absolut të zgjedhjeve, gjë që do t’i garantonte formimin e institucioneve qëndrore. Këto komente, liderët kosovarë i kanë bërë pas takimeve që sot i kanë zhvilluar me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili, sipas tyre i ka thirrur këto takime që të njoftohet me qëndrimet e liderëve vendorë rreth dinamikës së ndërtimit të institucioneve. Pas takimit me kryeadministratorin Petersen, kryetari i Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova, tha se ende asgjë nuk është përfundimtare dhe se ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese për qëndrimet e kësaj partie me cilin apo cilat subjekte do të hyjë në koalicion:
“Pas rezultateve përfundimtare do të shikojmë që institucionet t’i bëjmë sa më shpejt. Ndërkohë presidenti dhe qeveria do të punojnë, sepse i kanë përgjegjësitë, pra jemi në situatë më të mirë se në vitin 2001 dhe shpresoj se do t’i bëjmë së shpejti të gjitha institucionet”, tha Rugova.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se ai angazhohet për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe shumë-etnike, duke pasur parasysh proceset që i ka përpara Kosova, sidomos atë të përcaktimit të statusit të saj, i paraparë për mandatin e qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e të shtunës së kaluar:
“Partia Demokratike e Kosovës ndjek politikën e integrimit që garanton ndërtimin e institucioneve gjithëpërfshirëse e shumë-etnike, që garanton suksesin dhe stabilitetin e Kosovës, qeverisje stabile e efektive, edhe për fillimin e zgjidhjes së statusit politik, edhe për integrimin e kosovës në strukturat evroatlantike”, tha Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do të ishte mirë që Kosova më në fund të ketë pozitën dhe opozitën e vet, mirëpo ai nuk e përjashtoi mundësinë edhe të modeleve të tjera, që në Kosovë tashmë njihen si bashkëqeverisje. Haradinaj tha se me qëllim të diskutimit të opsioneve e modeleve të qeverisë së re, ai tashmë ka takuar zyrtarin e lartë të LDK-së Nexhat Daci, si dhe kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi, kurse parasheh të takojë dhe Veton Surroin nga Lista Qytetare "Ora". Haradinaj, tha se çfarëdo marrëveshje që do të rezultojë në fund, AAK-ja do ta pranojë pavarësisht faktit nëse do të mbetet në pozitë apo opozitë:
"Biseduam për opsionet për qeverisje. I shpjegova se Aleanca i le të hapura opsionet, nuk kushtëzon, por mbështet arritjen e një marrëveshje të ndërsjellë me partitë politike në Kosovë, duke i lënë të hapura të gjitha opsionet. Po ashtu biseduam për kompletimin e qeverisë së Kosovës dhe mendoj se nuk kemi kohë që të shkojmë pjesë pjesë, njëherë me katër e pastaj me dy ministri të reja. I shpjegova se sa me rëndësi është që të veprojmë menjëherë me kompletimin e qeverisë së Kosovës”, theksoi Haradinaj.
Më pas Petersen ka takuar dhe Veton Surroin nga Lista Qytetare "Ora", subjekt ky që është gjithashtu në kombinim për qeverinë e re. Surroi tha se ka propozuar disa parime, mbi të cilat do të ndërtohej qeveria e ardhshme, e cila sipas tij do të duhet të bashkohet rreth programit. Ai e kundërshtoi bashkëqeverisjen si model duke favorizuar krijimin e raporteve pozitë-opozitë:
“Ne mendojmë se duhet të ketë pushtet dhe opozitë në Kosovë. Edhe pushteti edhe opozita duhet të jenë të forta. Shpjegova po ashtu se qëndrimin tonë se rreth çështjeve thelbësore që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, bisedimet statusore, bisedimet me Beogradin, decentralizimin, kushtetutën e Kosovës, duhet të krijohet një konsensus ndërmjet të gjitha partive, pra pushtetit dhe opozitës”, tha Surroi.
Të gjithë liderët kosovarë, si qëndrim të përbashkët shprehën kënaqësinë se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe në frymë demokratike. Ndërsa lidhur me qeverinë e re, mbizotëron bindja se ajo mund të ndërtohet mbi bazën e formulës tashmë të njohur të bashkëqeverisjes, ku partitë e mëdha kalojnë në qeveri, ose mbi modelin tjetër të qeverisjes së partisë shumicë me një apo dy subjekte më të vogla. Në bazë të Kornizës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mblidhet 30 ditësh pas çertifikimit të rezultateve. Kurse zgjedhja e presidentit dhe qeverisë, bëhet me votim në Kuvend, ku në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave apo 81 nga 120 sa ka gjithsejt deputetë në Kuvend, kurse në rast bllokade, votimi i tretë parasheh zgjedhjen e tyre me shumicën e thjeshtë, apo me 61 vota.


XS
SM
MD
LG