Ndërlidhjet

KOSOVA – SHEMBULL I SUKSESIT TË NDËRHYRJES NDËRKOMBËTARE


The Times

Me përqëndrimin e vëmendjes tek zgjedhjet amerikane që mbahen në nëntor dhe ato irakiane që priten të mbahen në janar, zgjedhjet e së shtunës në Kosovë kanë kaluar pothuajse pa u vërejtur edhe aq shumë në sytë e botës. Kjo mund të ketë ndodhur për faktin se situata aktuale në Kosovë nuk është edhe aq premtuese, duke filluar nga bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e komunitetit serb. Në rrafshin ekonomik, rajoni është në gjendje të ngrirë, korrupsioni është i gjerë, ndërkohë që mungojnë edhe investimet nga jashtë. Kriminaliteti ndërkaq, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar, vazhdon të jetë një problem i madh.
Në të njëjtën kohë edhe statusi i Kosovës vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Për momentin, retorika e perëndimit mbi Kosovën shtrihet mbi standardet e përcaktuara që duhet të përmbushen, para se të fillojnë bisedimet mbi përcaktimin e statusit, por pas trazirave të muajit mars çdo arritje në këtë drejtim mund të duket e largët. A është edhe Kosova një dështim i ndërhyrjes ndërkombëtare? Në asnjë mënyrë.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ka qenë dhe është e arsyeshme. Me të është parandaluar spastrimi etnik i më shumë se 1 milionë shqiptarëve nga Kosova. Derisa shumë serbë janë detyruar që pas përfundimit të luftës të zhvendoshen nga Kosova nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve, të dhënat e fundit tregojnë se një numër i serbëve, veçanërisht në rajonet rurale, nuk ka lëvizur fare. Dhe është pikërisht dështimi ushtarak i forcave serbe në Kosovë, që dobësoi pozicionin e Sllobodan Millosheviçit dhe rrjedhimisht mundësoi edhe shkarkimin e tij nga pushteti.
Hollësi të ngjashme duhet të llogariten edhe në rastin e Irakut dhe në konceptin e përgjithshëm të ndërhyrjes ndërkombëtare. Në rastin e Bosnjës për shembull, Londra dhe Parisi kishin vendosur se nuk mund të bënin gjë për të shpëtuar muslimanët e atjeshëm nga spastrimi etnik. Pas shumë masakrimeve, qeveria amerikane praktikisht ka shtyrë mënjanë Britaninë e Madhe dhe Kombet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë.
Dhe ndoshta mund të duket interesante se të parët që kanë bërë thirrje për të ndërmarrë aksione konkrete kundër Millosheviçit kanë qenë zyrtarët aktual të Pentagonit, Paul Wolfowitz dhe Douglas Faith, që do të thotë se edhe pushteti aktual amerikan nuk është në mënyrë ekskluzive i përqëndruar vetëm në Lindjen e Mesme dhe Izrael.
Sidoqoftë, një gjë është mëse e qartë. Ndërhyrja në Ballkan hedh poshtë konceptet se politika e jashtme amerikane ka motive antimuslimane. Po të mos ishin Shtetet e Bashkuara, ata që dolën në zgjedhje gjatë votimeve të së shtunës në Kosovë, sot do të ishin refugjatë ose të vdekur. Nuk janë të paktë ata që e dinë se Kosova, një vend me më së shumti popullatë muslimane në Evropë, është gjithashtu një vend me një ambjent pothuajse tërësisht proamerikan, me një përkrahje të plotë për luftën kundër terrorizmit; Kosova është një vend ku nuk është mbajtur asnjë protestë e vetme në kërkim të ndërprejes së luftës në Irak. Kosova dhe Bosnja mbeten shembuj të asaj se çfarë duhet dhe çfarë mund të bëjë ndëhyrja ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG