Ndërlidhjet

logo-print

JELENA MILIÇ: KONFUZIONI I SHKAKTUAR NGA ZYRTARËT SERBË - AJKË NË KRYE TË MOZAIKUT


Jelena Miliç, Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliç, dalja e serbëve të Kosovës në zgjedhje ishte shumë e ulët. Si e shpjegoni këtë?

JELENA MILIÇ
Për fat të keq, ky është një lajm dhe fakt i keq. Egzistojnë disa faktorë që ndikuan. Konfuzioni që shkaktuan zyrtarët aktualë serbë, ishte vetëm ajka në krye të gjithë mozaikut konfuz. As autoritetet e reja, që erdhën në pushtet pas 5 tetorit, asnjëherë nuk patën politikë të qartë ndaj Kosovës. Këtë e them nga fakti se asnjë nga pushtetet e kaluara, e aq më pak ky i tashmi, nuk kanë bërë shumë për t'u zbardhur të gjitha krimet e kryera në Serbi para ardhjes së KFOR-it në Kosovë. Ne ende kemi në Beograd varrezë masive me rreth 1.000 viktima të terrorit shtetëror, që formacionet e policisë dhe ushtrisë i kanë kryer ndaj qytetarëve të atëhershëm të shtetit të vet, gjë që kurrësesi s'e ndihmon procesin e pajtimit dhe stabilizimit të gjendjes edhe për bashkësinë serbe në Kosovë.
Nga ana tjetër, kam përshtypjen se mënyra, me të cilën politikanët serbë tërë kohën i drejtohen bashkësisë serbe në Kosovë, flet se ata deri diku kushtimisht i kanë ç'regjistruar si qytetarë të vet dhe i trajtojnë si pjesëtarë të një populli pakicë në shtetin fqinj, ndërsa vetë sillen si shteti amë.
Prandaj, kjo jehonë e dobët e votuesve, për fat të keq është pasojë e konfuzionit të shkaktuar me rrëfimet për nevojën e decentralizimit në Kosovë, por me këtë rast qendra e decentralizimit të jetë Beogradi, e jo Prishtina. Sipas meje, një nga gabimet kryesore është mungesa e një mesazhi nga Beogradi, se serbët e Kosovës, por edhe gjithë banorët e tjerë të Kosovës, një herë duhet ta shohin Prishtinën si qendër të vetën, pavarësisht nga statusi përfundimtar, e pastaj të shohin më tutje. Dhe të mos shohin si qendër Mitrovicën apo Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliç, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët e lartë ndërkombëtarë në Kosovë, e kanë theksuar pakënaqësinë e tyre me mospjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje.
Çfarë është komenti i juaj për reagimet e tilla?

JELENA MILIÇ
Këto janë reagime tejet normale. Druaj se kjo edhe më shumë do ta përkeqësojë pozitën ndërkombëtare edhe të qytetarëve të tjerë të Serbisë, sepse pushteti ynë do të shihet si i papërgjegjshëm. Në përgjithësi, të gjithë qytetarët e Kosovës, serbët e Kosovës dhe personat e zhvendosur nga Kosova, por edhe unë si qytetare e Beogradit, jemi pengj të politikës së papërgjegjshme të udhëheqjes serbe, sidomos të qeverisë së Koshtunicës, e cila në një mënyrë apo një tjetër, tërë kohën e ka mbështetur politikën e Millosheviçit në Kosovë dhe përtej Drinës, kurse në vija të përgjithshme ishte kundër vetëm asaj pjese të politikës së Millosheviçit dhe asaj pjese të qeverisë së tij, që kishte të bëjë me çështjet e brendshme, pra në Serbinë qendrore.
Ky është një sinjal shumë, shumë i keq. Shoh që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, si probleme më të mëdha theksojnë qëndrimin e papërgjegjshëm ndaj zgjedhjeve në Kosovë, ndaj procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe ndaj bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Bëhet fjalë për katër gjeneralë, për tre nga të cilët ne në Serbi e dimë se ku janë, ashtu siç dimë edhe për 17 të arratisurit tjerë të Hagës, të cilët çdo ditë në Serbi kanë promovime mediatike. Të gjithë ata, neve na mbajnë si pengje. Ata janë njerëzit që kanë qenë bartës të funksioneve ushtarake dhe politike gjatë konfliktit në Kosovë, kur kanë ndodhur krime të tmerrshme të luftës, si pasojë e të cilave tek ne janë varret, kurse në Kosovë familjet e viktimave.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliç, dy politikanët kosovarë Oliver Ivanoviç dhe Sllavisha Petkoviç, që me grupet e tyre morën pjesë në zgjedhje, e kanë kritikuar pushtetin në Beograd, veçanërisht qeverinë e Serbisë, për konfuzionin lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet. Në këtë kuadër, si i shihni qëndrimet e ndryshme të zyrtarëve të Beogradit?

JELENA MILIÇ
Më duhet të pranoj se nuk më befason shumë, por as që duhet t'u jepet ndonjë rëndësi e veçantë të gjithë atyre që paraqiten si të ashtuquajtur liderë të serbëve të Kosovës. Çfarë do të thotë në shekullin e 21 të jesh lider i serbëve të Kosovës? Kë përfaqësojnë ata? Sa parti politike kanë ndryshuar Oliver Ivanoviçi dhe Rada Trajkoviçi gjatë angazhimit të tyre politik, derisa ndoshta nuk zbuluan ndonjë interes privat? Përse këta përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk u ngritën kundër politikës së qeverisë për t'i heshtur krimet e luftës, për të cilat nuk dëshiron të flasë dhe i fsheh njerëzit të cilët janë akuzuar me prova aq të qarta?
Në këtë kuptim, komenteve të Oliver Ivanoviçit dhe përfaqësuesit tjetër të vetëshpallur të serbëve të Kosovës, mendoj se nuk duhet t'u kushtohet aq shumë rëndësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e parashihni zhvillimin e ngjarjeve përkitazi me legjitimitetin e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në bisedimet e ardhshme për statusin përfundimtar të Kosovës?

JELENA MILIÇ
Sipas meje, pavarësisht që kjo mund të tingëllojë mjaft ashpër dhe rëndë, ndërmjet kolegëve serbë, serbët e Kosovës e kanë humbur legjitimitetin. As serbët e Kosovës, as serbët e zhvendosur në Beograd dhe as politikanët serbë, nuk kanë kurrfarë legjitimiteti. Bashkësia ndërkombëtare as që do të duhej t'ua japë një legjitimitet të tillë, derisa në mënyrë të hapur nuk formohet një qëndrim rreth asaj se çfarë ka ndodhur gjatë sundimit të Millosheviçit, çfarë ka ndodhur prej ardhjes së KFOR-it, kush është përgjegjësi dhe kush është fajtori. Sa jemi ne si shoqëri fajtorë që kemi votuar për njerëzit dhe institucionet, të cilat i kanë bërë ato krime të tmerrshme? Në përgjithësi, ne si shoqëri nuk kemi arritur të rikthejmë një pjesë të madhe të legjitimitetit. Kuptohet, përjashtim bëjnë individët nga qeveria e Xhingjiçit, të cilët të paktën bënë që Millosheviçi, Shesheli, Frenki dhe Stanishiçi të jenë Hagë. Sa u përket këtyre që tani janë në pushtet, unë po të isha në vendin e bashkësisë ndërkombëtare, do të përpiqesha që vazhdimisht t'ua shpjegoja se ata nuk kanë dhe ende nuk mund të kenë kurrfarë legjitimiteti. Ndërsa gabojnë kur mendojnë se tani dikë e kanë mashtruar dhe e kanë ruajtur situatën duke bojkotuar zgjedhjet dhe se tani Koshtunicës do t'i jepet e drejta të vendosë nëse do t'ua japë apo jo legjitimitetin institucioneve të Kosovës. Kush është Koshtunica që të vendosë për legjitimitetin e institucioneve të Kosovës, kur ne në Serbi kemi institucione, të cilat nuk kanë kontroll mbi asgjë?

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG