Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDOJNË NEGOCIATAT PËR KRIJIMIN E INSTITUCIONEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Negociatat ndërmjet subjekteve kryesore parlamentare, të dala nga zgjedhjet e të shtunës së kaluar tashmë kanë filluar, por partitë politike në deklaratat e tyre preferojnë të mos flasin konkretisht për ofertat e tyre për qeverinë e re të Kosovës, edhe pse disa nga subjektet kryesore i kanë vënë në dispozicion kryetarët e tyre për kreun e qeverisë së re.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka fituar numrin më të madh të votave, nuk preferon të flasë me emra. Lulzim Zeneli zëdhënës i LDK-së, thotë se kjo parti është në pritje të rezultateve përfundimtare:
"LDK-ja është në pritje të rezultateve përfundimtare dhe ne kemi thënë edhe më herët se vetëm pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, LDK do të shqyrtojë pozicionin e saj."
I pyetur se cili është kandidati i tyre për kryeministër, zëdhënësi Zeneli përgjigjet:
"Është herët të flitet, për vetë faktin se jemi në pritje të rezultateve dhe tani është e parakohshme të flitet për kandidaturat e LDK-së për çfarëdo posti."
Ndërkaq, Hajredin Kuçi nënkryetar i PDK-së dhe anëtar i grupit negociator të PDK-së për formimin e institucioneve, tha se kjo parti e dyta për nga numri i votive të fituara, do të luajë me ekipin e parë:
"PDK-ja do të tregojë aftësi menaxhuese të të gjitha votave të fituara nga elektorati i saj. PDK-ja është e interesuar të kemi një qeverisje stabile dhe efektive në Kosovë, e cila do të sigurojë demokraci, mirëqenie ekonomike-sociale, por mbi të gjitha do të garantojë statusin përfundimtar", tha Kuçi, sipas të cilit PDK-ja mundohet dhe lufton për pushtet, ndërsa rezultati zgjedhor i ka garantuar kësaj partie të jetë pjesë e këtij procesi të ndërtimit të institucioneve. Duke mos thënë një emër konkret, Kuçi e përmend kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi si personalitetin numër një:
"Mund të them se organet e partisë nuk kanë vendosur ende për një gjë të tillë, por mund të them se PDK-ja ka personalitete dhe mbi të gjitha mund të them se kryetari i saj është personaliteti numër një që tregon aftësi menaxhuese dhe garanci për institucione stabile".
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partia e tretë më e fuqishme, që aktualisht bën pjesë në të gjitha kombinimet, tha për Evropën e Lirë, se do të ishte i gatshëm për ta drejtuar qeverinë e re:
"Ne, siç i kemi premtuar elektoratit i lëmë të hapura opsionet për qeverisje. Nga Aleanca ofrojmë kuadrin e Aleancës, përfshirë edhe mua, për përgjegjësitë, qofshin ato edhe udhëheqëse, pra edhe për përgjegjësinë për kryetarin e qeverisë së Kosovës".
Në anën tjetër, për subjektin "Ora", që po ashtu përmendet në disa kombinime për koalicion qeveritar, sipas kryetarit të saj Ylber Hysa, nuk është me rëndësi ekzkluzivisht emri apo hisja në qeveri, por koncepti qeverisës. Me këtë ai e ka arsyetuar dërgimin e konceptit për ndërtimin e qeverisjes të gjitha partive që kanë fituar vende në parlament:
"Për ne është me rëndësi se çfarë duhet të bëjë ajo qeveri dhe si të punojë, më shumë sesa të pretendojmë hise ose të preferojmë një emër të caktuar për këtë post," tha Hysa, sipas të cilit koncepti i "Orës" mbështetet mbi një program qeverisës dhe mbi konsenzusin që duhet marrë për disa çështje madhore si bartja e kompetencave, dialogu, decentralizimi dhe një program zhvillimor për reforma, si dhe koncepti, sipas të cilit do të duhej ndërtuar qeverisja.
Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka premtuar se do t’i kumtojë rezultatet zyrtare të shtunën, për t’u nënshkruar nga kryeadministratori një ditë më pas, parlamenti i Kosoëvs duhet të konstituohet më së largu 30 ditë më pas. Partitë politike ndërkohë do të duhet të mbajnë premtimet për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.


XS
SM
MD
LG