Ndërlidhjet

ANALISTËT PËR PJESËMARRJEN E SERBËVE NË ZGJEDHJE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Serbët e Kosovës, me mosdaljen e shumicës së tyre në zgjedhje, kanë privuar veten nga realizimi i të drejtave të tyre dhe kjo e vështirëson këtë proces në kuadër të institucioneve të Kosovës, thotë Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare. Dalja e vogël e serbëve në zgjedhje dëshmon, siç thotë ai, se serbët e Kosovës nuk kanë punuar me kokën e vet, por më shumë varen nga politikat e Beogradit dhe jo rrallë këto politika i kanë viktimizuar ata.
"Dalja e vogël e serbëve është zhgënjyese, por në të njëjtën kohë është një alibi e fortë për faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar, për t'i marrë serbët në sistem dhe për t'i integruar në institucionet e reja. Mendoj se një gjë e tillë duhet të bëhet, sado që besoj se edhe po të futen, ata menjëherë pas kalimit të afatit që ka dhënë kryetari i Serbisë Tadiç, me siguri do të dalin nga sistemi. Është joreale që të pritet se për 90 ditë të realizohet ndonjë kërkesë e tyre, sa i përket sigurisë, në atë formë që është kërkuar. Mendoj se ato janë kërkesa joreale".
Ndërsa, analisti Baton Haxhiu, thotë se me zgjedhjet e tanishme, bashkësia ndërkombëtare ka treguar se nuk ka influencë në politikën e Beogradit. Me daljen e vogël në zgjedhje, serbët e Kosovës kanë defaktorizuar vetveten dhe kanë faktorizuar Beogradin, siç thotë ai, 100 përqind.
"Kjo do të reflektohet sidomos në statusin e Kosovës dhe është treguar se statusi i Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi një relacion bisedimesh së pari mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Ky element është eleminuar, që ka qenë njëri prej elementëve të standardeve. Por me rëndësi është që tani e tutje, shqiptarët e Kosovës, institucionet e Kosovës, duhet ta kenë të qartë se pa faktorin Beograd, nuk mund të zgjidhet statusi i Kosovës".
Pjesmarrja e vogël e serbëve në zgjedhje, shton zoti Haxhiu do ta bëjë të diskutueshëm legjitimitetin e tyre në institucionet e Kosovës. Ndërkaq, zoti Hasani, thekson se mosshfrytëzimi eventual i vendeve të rezervuara në Kuvend nga serbët e Kosovës, në një masë do ta delegjitimonte këtë Kuvend, në kuptimin ndërkombëtar.
"Problemi shqiptaro-serb është problemi kyç i tërë këtij ekuacioni. Pra krahas ndërtimit të institucioneve duhet të fillojë një diagol i rregullave politike të lojës shqiparo-serbe, shqiptarë-serbë të Kosovës, por pse jo edhe Kosovë-Serbi."
Ndërkaq zoti Haxhiu thekson se, përderisa serbët e Kosovës nuk kanë dalë në zgjedhje dhe nuk kanë dashur të faktorizohen, tregon se procesi i nisjes së bisedimeve për statusin e Kosovës do të rezultojë shumë shpejt dhe kjo, sipas tij, i reflekton dy çështje:
"Elementi i parë është se ata do të faktorizohen në veri dhe elementi i dytë është që ata do të përqëndrohen që për zërin e tyre të flasë Beogradi dhe të niset biseda për statusin e Kosovës. Mirëpo ajo që është me rëndësi për momentin është se shqiptarët nuk ka në nevojë tani t'i përgjigjen thirrjes për decentralizim, për arsye se serbët e kanë bojkotuar procesin zgjedhor dhe nuk kanë dashur të jenë pjesë e institucioneve, por kjo e ngre rrezikun që realisht Kosova të shkojë në një model të ndarjes imagjinare, të kantoneve imagjinare."
Shkaktarët që kanë krijuar tek serbët disponimin për mosdalje në zgjedhje sipas zotit Hasani, janë:
"Nëse duhet bërë një renditje mendoj se qeveria e Beogradit është e para. E dyta mendoj se UNMIK-u e ka politizuar problemin e serbëve, për të mos thënë e ka dramatizuar në kuptimin politik. Faktori vendor është i fundit. Kur them vendor mendoj edhe atë shqiptar edhe atë serb. Pra me fjalë të tjera dinamika është diktuar nga jashtë, nga Beogradi dhe nga UNMIK-u."
Ndërkaq zoti Haxhiu thekson:
"Partitë shqiptare kanë hezituar të merren me këtë çështje, madje as fushata zgjedhore as elementi serb nuk ka qenë i përmendur fare, duke rezultuar se mund të humbin vota në qoftë se e përmendin dhe tani ai do të hakmerret. Prandaj një pjesë e fajit është edhe e faktorit shqiptar. Faji tjetër është që faktori ndërkombëtar e ka përkëdhelur mjaft mirë Beogradin dhe nuk ka bërë presion të mjaftueshëm tek faktori shqiptar që të ndërtojë strategjinë e përbashkët për të faktorizuar serbët dhe për të ndërtuar identitetin e tyre në Kosovë".


XS
SM
MD
LG