Ndërlidhjet

ALLEN KASSOF: BEOGRADI BËRI GABIM NË NXITJEN E BOJKOTIT


"Një nga çështjet më kritike në përcaktimin e statusit përfundimtar vërtet do të jetë fakti, nëse shqiptarët e Kosovës mund të krijojnë rrethana, të cilat do të formonin themelet për një shoqëri shumë etnike, që aktualisht është e kufizuar. Për këtë, një formë e pjesëmarrjes së serbëve, është mëse e nevojshme", thotë, pos tjerash, Allen Kassof, udhëheqës i Projektit për Marrëdhënie Etnike me seli në Princeton (SHBA), duke komentuar zgjedhjet në Kosovë dhe pjesëmarrjen e serbëve në to.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të kësaj interviste dëshiroj t'ju pyes për vlerësimin tuaj të zgjdhjeve në Kosovë. Pra, në përgjithësi, si i përshkruani ju këto zgjedhje?

ALLEN KASSOF
Sa i përket palës shqiptare, zgjedhjet nuk paraqesin kthesa dhe ndryshime të mëdha. Specifikë e këtyre zgjedhjeve ishte bojkoti pothuajse total nga ana e serbëve, e që krijon një situatë të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas zgjedhjeve kemi negociata shumë intensive lidhuir me krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Sipas jush, në cilin drejtim do të lëvizë ky proces i tërësishëm?

ALLEN KASSOF
Me duket se nga ana shqiptare, një koalicion në një mënyrë apo në një tjetër, do të formohet dhe politika kosovare do të ecë përpara. Ky, sigurisht, është një moment kritik, sepse viti 2005 po afrohet dhe ka të paktën disa premtime për një ecje përpara në diskutimet për statusin përfundimtar. Një nga faktorët më të ndërlikuar aty do të jetë programi i mbrojtjes së serbëve dhe zhvillimi i këtij programi sigurisht kërkon pjesëmarrjen e komunitetit serb, gjë që për momentin, është çështje problematike, për shkak të rolit të tyre të reduktuar në institucione.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë komente lidhur me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje. Siç thatë edhe ju, edhe disa analistë thonë se ky ishte një bojkot. Nga pikëpamja juaj, çka do të thotë kjo?

ALLEN KASSOF
Mendoj se është një kthim prapa për të dy palët. Mund të them se në takimin që organizova dhe drejtova në qershor në zyrën amerikane në Prishtinë, në kuadër të projektit për marrëdhëniet etnike, në të cilin u mblodhën së bashku përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe lidershipi politik i shqiptarëve të Kosovës, për herë të parë pamë një përparim në formën e një përkushtimi të përbashkët në përpjekjen për të krijuar një ofertë që serbëve do t'u jepte një ndjenjë sigurie. Ky proces, ka gjasë, që u ndërpre nga ajo që ndodhi në zgjedhje. Mendoj se duhet të gjenden disa mënyra për të përfshirë një farë përfaqësimi të komunitetit serb në një formë apo në një tjetër, pavarësisht nga fakti se këta udhëheqës a janë zgjedhur apo jo, në mënyrë që të ecet përpara me këtë proces. Një nga çështjet më kritike në përcaktimin e statusit përfundimtar vërtet do të jetë fakti, nëse shqiptarët e Kosovës mund të krijojnë rrethana, të cilat do të formonin themelet për një shoqëri shumë etnike, që aktualisht është e kufizuar. Për këtë, një formë e pjesëmarrjes së serbëve është mëse e nevojshme. Sinqerisht mendoj se Beogradi bëri një gabim në nxitjen e bojkotit, sigurisht jo të gjithë zyrtarët e Beogradit, por ata që bënë thirrje të tilla dhe kam frikë se rezultati nuk do ta rrisë zërin e Beogradit në këtë proces, megjithqë, njëherësh ka ulur zërin e serbëve të Kosovës për të njëjtën çështje. Megjithatë disa mjete duhet të gjenden për t'u përballur tash me këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
E parashtrova këtë pyetje duke pasur parasysh zhvillimet e ardhshme lidhur me bisedimet për statusin final të Kosovës. Kush ka legjitimitet për ti përfaqësuar serbët e Kosovës në këtë proces?

ALLEN KASSOF
Pikërisht, kjo është pyetja. Mendoj se do të na duhet të presim për disa javë, që të shohim se çfarë modelesh do të paraqiten. Meqënëse ky përfaqësim nuk do të ketë formën që ka pasur më parë si rrjedhojë e zgjedhjeve, mund të ndodhë që Bashkësia ndërkombëtare në bashkëpunim me komunitetin serb, të krijojë një formë, të paktën të përfaqësimit joformal, me të cilën mund të përfaqësohen interesat e serbëve. Ka rrugë të ndryshme për ta realizuar këtë. Mund të bëhet mbi baza të komunitetit, mund të bëhet mbi baza joformale, por disa hapa duhet të ndërmerren. Është veçanërisht e rëndësishme sepse ende në këtë moment, Prishtina nuk do ta njohë Beogradin si një zëdhënës për serbët në Kosovë. Njëfarë ndryshimi në këtë pozicion do të ishte i mirëpritur. Mendoj se nevojitet më shumë transparence dhe fleksibilitet nga të dy palët në mënyrë që të ecet përpara në një mënyrë korrekte.

RADIO EVROPA E LIRË
Dëshiroj tash t'ju pyes lidhur me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që mbahen javën e ardhshme. A ekziston ndonjë dallim për Ballkanin dhe veçanërisht, për Kosovën, ndërmjet zotit Bush e zotit Kerry?

ALLEN KASSOF
Aq sa di unë nuk ka ndonjë ndryshim të madh në këndvështrimet e kandidatëve. Kjo është një çështje, për të cilën ka pasur një konsensus të gjerë në Shtetet e Bashkuara, që prej ndërhyrjes ushtarake. Rrjedhimisht, nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim madhor me ndryshimin e administratës. Qartasi, kjo administratë nuk ka qenë veçanërisht e koncentruar në këtë çështje, për shkak të problemit të Irakut dhe të terrorizmit. Prandaj, rezultati ka qenë një lloj ngadalësimi në ecjen përpara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por, nuk mendoj se kjo është për shkak të dallimit politik.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG