Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA DHE UNMIK SHPREHIN BRENGOSJEN PËR RRËMBIMIN E SHQIPE HABIBIT


Në Kosovë është pritur me shqetësim njoftimi për kidnapimin e qytetares nga Kosova, Shqipe Habibi në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Pas njoftimit brengosjen e tyre për këtë rast e kanë shprehur zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe të Qeverisë së Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, ka thënë se është shqetësuar thellësisht kur ka marë vesh për lajmin.
"Jam shumë i brengosur nga njoftimi se në mesin e tre pjesëtarëve të kidnapuar të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, është një femër nga Kosova", tha zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke duke e lexuar deklaratën e zotit Jessen Petersen.
Edhe zyrtarë të qeverisë së Kosovës e cilësuan këtë njoftim të trishtueshëm. Mimoza Kusari-Lila, zëdhënëse e qeverisë në një prononcim për Evropën e Lirë tha se me këtë rast, edhe Kosova po e ndien realitetin e luftës së vrazhdë që po zhvillohet në atë pjesë të botës.
"Është një lajm shumë i trishtueshëm ndoshta edhe për faktin se deri më tash të gjitha lajmet e këqija që kanë ardhur nga ajo anë e botës kanë prekur qytetarë ndërkombëtarë, ndërsa tash edhe vetë Kosova e ndien realitetin e luftës së vrazhdë që zhvillohet atje", tha zonja Kusari-Lila, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ka thënë se UNMIK-u është në kontakt me familjen e qytetares kosovare të kidnapuar.
"Kombet e Bashkuara janë në kontakt me familjen e të kidnapuares dhe e ka njoftuar familjen për këtë situatë shqetësuese, ndërkohë që bashkë me gjithë Kombet e Bashkuara shpresojmë që ajo dhe të kidnapuarit e tjerë të lirohen menjëherë dhe pa kushte", tha Mechtilde Henneke, duke lexuar deklaratën e shefit të UNMIk-ut, Soren Jessen Petersen
Ndërkaq zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, zonja Kusari-Lila, tha se zyrtarët e qeverisë së Kosovës janë në lidhje të vazhdueshme me UNMIK-un dhe me Kombet e Bashkuara pasi institucionet e Kosovës nuk kanë rrugë tjetër për të ndikuar për fatin e qytetares së Kosovës të rrëmbyer në Afganistan.
"Dihet se marëdhëniet e Kosovës me jashtë kryhen përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë. Në këtë rast, qeveria shpreh brengën e saj të thellë dhe është në në linjë të drejtpërdrejtë me Nju Jorkun dhe me metodat të cilat mund të shfrytëzohen fillimisht për nxjerrjen sa më të shpejtë të qytetares sonë atje", tha zonja Kusari-Lila.
Ndërkohë, zyrtarët e UNMIK-ut kanë thënë se nuk kanë informacione se sa qytetarë të Kosovës, punojnë me organizata dhe agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara në Afganistan. Një numër i madh shqiptarësh nga Kosova punojnë për agjenci të ndryshme edhe në Irak, ndërsa ky është rasti i parë i rrëmbimit të një qytetareje të Kosovës.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG