Ndërlidhjet

logo-print

FARHAN HAQ: NË KABUL ËSHTË RRËMBYER SHQIPE HABIBI NGA KOSOVA


"Tre punonjësit e rrëmbyer sot në Kabul janë Shqipe Habibi në Kosova, Anxhelito Najoan nga Filipinet dhe Aneta Flanagan nga Irlanda."
Kështu ka deklaruar për Radion "Evropa e Lirë", Farhan Haq, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Tre punonjësit e Kombeve të Bashkuara janë rrëmbyer mesditën e sotme në kryeqytetin afgan Kabul, në një nga zonat më të frekuentuara gjatë ditës.
Të tre punonin për misionin e Kombeve të Bashkuara në Afganistan dhe kishin ndihmuar në organizimin e zgjedhjeve të para presidenciale në këtë vend, që u zhvilluan ditë më parë.
Luftallah Mashall, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit për radion "Evropa e Lirë" lidhur me këtë incident tha:
"Sipas raporteve që kemi rreth orës 12:30 me orën lokale, tre punonjës të Komisionit organizues të zgjedhjeve, përfshirë dy gra dhe një burrë u rrëmbyen nga persona të armatosur me uniformë në zonën Karte Paruan të Kabulit. Më pas automjeti që i ka rrëmbyer ka shkuar në perëndim të Kabulit në zonën Pagman Argandi", ka thënë Mashall për "Evropa e Lirë", për të shtuar se të tre kanë qenë në Afganistan për së paku gjashtë muaj.
Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe Abdul Hadi Kasemi, punonjës afgan i sigurisë për Kombet e Bashkuara, dëshmitar në vendin e ngjarjes. Sipas tij shoferi i automjetit të Kombeve të Bashkuara me të cilin ata udhëtonin është lënë i lirë nga rrëmbyesit.
Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Farhan Hak, për programin tonë ka thënë se nuk ka ende informacione lidhur me autorët dhe qëllimin e këtij akti.
"Nuk kemi informacione solide për autorët", ka thënë Haq.
Më tej zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara për programin tonë lidhur me masat që do merren ka thënë:
"Në këtë moment po punojmë me autoritetet në terren dhe po përpiqemi të sigurojmë se stafi ynë do të lirohet menjëherë dhe pa kushte"
Rreth Kabulit, sipas agjencive te lajmeve, janë shtuar pikat e kontrollit dhe po kontrollojnë të gjithë personat që hyjnë e dalin nga kryeqyteti afgan. Helikopterët e NATO-s i janë bashkangjitur këtij operacioni, derisa trupat e misionit të NATO-s kanë nisur operacionet e kërkimit.
Shqipe Habibi, kosovarja e rrëmbyer në Kabul, në një intervistë dhënë pak ditë më parë agjencisë franceze të lajmeve, AFP, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale afgane kishte thënë se "zgjedhjet e 9 tetorit ishin më të vështirat, që ajo kishte ndjekur në jetëen saj, ndonëse kishte mbikqyrur disa zgjedhje në zonat e pas konflikteve". Më tej Habibi kishte theksuar se derisa në Kosovë, ku dhe atje kishte punuar me organizimin e zgjedhjeve kishte mbi 1 milionë votues, në Afganistan ky numër i kalonte 8 milionët. "Derisa vështirësitë në Afganistan shtoheshin se duheshin ndarë vecmas votuesit burra dhe votueset femra", kishte thënë Habibi për AFP-në më 26 tetor.

Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG