Ndërlidhjet

SONDAZHI NXORRI TË DHËNA PËR NDËRGJEGJËSIMIN DHE QËNDRIMIN E SHQIPTARËVE NDAJ TRAFIKUT TË QËNIEVE NJERËZORE


Alma Çupi, Tiranë

Gati 94 për qind e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur tek zyrtarët. Dhe nga institucionet më të korruptuara rendisin doganat, gjykatat dhe spitalet. Ky është përfundimi i parë zyrtar që ka dalë pas një sondazhi të MSI, programi i USAID për edukimin dhe korrupsionin.
Ky sondazh për herë të parë tregon me statistika të plota perceptimin e qytetarëve të thjeshtë, por edhe të zyrtarëve publikë për shkallën e korrupsionit në Shqipëri. Kështu gati 80 për qind e qytetarëve mendojnë se ekziston korrupsioni në administratën shtetërore.
Nisur nga ky perceptim, avokati Julian Kola thotë tek qytetarët ka rënë edhe besimi tek institucionet.
"Ajo që konstatojmë është se egziston një mungesë e konsiderueshme besimi tek institucionet qeveritare, mosbesim tepër i madh tek partitë politike, niveli i lartë i varfërisë si dhe një besim mjaft i vogël se situata në vend do të përmirësohet në të ardhmen e afërt".
Më tej avokati Kola, një nga aktivistët e këtij sondazhi, thotë se nga testimi u vu re se qytarët mosbesimin më të madh e kishin ndaj prokurorisë dhe gjykatave. Gati gjysma e të intervistuarve u shprehën se trajtimi nga gjykatat ka qenë jo i mirë.
"Duke u nisur gjithmonë nga raporti të cilin ne e kemi nxjerrë në bazë të studimeve të pyetësorëve të bëra qytetarëve, kemi arritur në konkluzionin se raporti i trajtimit nga gjykatat dhe prokuroritë, ishin më negative sesa ato të policisë apo organeve të tjera të administratës".
Mariana Bello, drejtore e programit të anti-trafikimit të qenieve njerëzore pranë Zyrës së Mbrojtjes të Qytetarëve, thotë se sondazhi nxori të dhëna edhe për ndërgjegjësimin dhe qëndrimin e shqiptarëve ndaj trafikut. Gati 68 për qind e atyre që u testuan pranuan se në komunitetin e tyre egziston problemi i trafikimit të qenieve njerëzore. Madje ata raportuan se dinin edhe raste konkrete të trafikimit të grave dhe fëmijëve brenda zonës ku jetonin. Sipas Mariana Bellos rrethet më problematike u konstatuan Durrësi, Korça, Vlora dhe Berati.
"Sondazhi u përpoq të evidentonte dhe problemin e trafikimit të qënieve njerëzire. Pra sa dijeni kishte komuniteti në lidhje me këtë problem. Rezultoi që njohuria qoftë jo e drejtpërdrejtë për fenomenin, qoftë e drejtpërdrejtë të personave të përfshirë apo të trafikuar ishte e lartë, veçanërisht në Tiranë. Nga përgjigja e qytetarëve rezultoi se zonat me më shumë probleme janë Durrësi, Vlora, Korça edhe Berati."
Në sondazh u pa se një shumicë e konsiderueshme e të pyeturve, gati 82 për qind qytetarëve të thjeshtë dhe 80 për qind e zyrtarëve publikë, e sheh problemin e trafikimit të qenieve njerëzore, të lidhur ngushtë me problemet e korrupsionit në Shqipëri. Kur personat e intervistuar u pyetën se përse nuk e denoncojnë korrupsionin, përgjigja e gjysmës prej tyre ishte se nuk ia vlen, 27 për qind e qytetarëve thonë se kanë patur frikë ta bëjnë një gjë të tillë dhe 17 për qind se nuk kanë patur fakte.
Media, nga të intervistuarit, u rendit në vendin e parë për aftësinë e saj në luftën kundër korrupsionit, e pasuar nga shoqëria civile. Gati 80 për qind e të intervistuarve, u shprehën se informacionin për korrupsionin e marrin kryesisht nga media e shkruar dhe ajo elektronike.


XS
SM
MD
LG