Ndërlidhjet

ISMAIL HASANI: PROCESET POLITIKE KËRKOJNË POZITË DHE OPOZITË


Ismail Hasani, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, pjesëmarrja tepër e ulët e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundjavës së shkuar për parlamentin e Kosovës, ka bërë që subjektet politike të serbëve ta vënë në dyshim edhe shfrytëzimin e vendeve të rezervuara në parlament. Si do të ndikojë kjo në proceset e ardhshme?

ISMAIL HASANI
Unë konsideroj që në demokracitë e konsoliduara do duhej ndëshkuar një sjellje e tillë, sado që ne jemi të vetëdijshëm që serbët e Kosovës nuk mbajnë përgjegjësi për këtë punë, për arsye se ata kanë qenë të shtrënguar të veprojnë sipas instruksioneve të një segmenti të politikës së Beogradit, përjashtuar kryetarin Tadiç dhe qarqet e tij. Mirëpo, sidoqoftë, në demokracitë normale do duhej ndëshkuar ky akt i injorimit të një rrjedhe normale të votimeve për parlamentin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zyrtarët ndërkombëtarë thonë se para Kosovës tani është detyra e përmbushjes së standardeve prioritare. Sa do të mund të jetësohen këto standarde pa një pjesëmarrje efektive të serbëve në institucionet e reja të Kosovës?

ISMAIL HASANI
Oferta drejtuar serbëve që jetojnë në Kosovë ka qenë shumë e sinqertë, si nga faktori vendor, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, që do të thotë se janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe nuk qëndron pohimi që bëhet nganjëherë se ishte koha e shkurtër, pasi serbët kanë qenë të vetëdijshëm se sido që të vijë situata që të përballen me realitetin, domethënë, do të vijë situata që ata duhet ta pranojnë realitetin e krijuar në Kosovë. Kështu që, unë konsideroj se nuk mund të flitet për ndonjë cenim të procesit, të rrjedhës normale të realizimit të standardeve që janë vënë si kusht për rrugën e mëtejshme të zhvillimit të proceseve demokratike në Kosovë. Është një imazh i keq, unë pajtohem plotësisht, që krijohet, pasi ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhet ta kenë të drejtën e votës dhe pengimi i tyre për të votuar është një imazh i keq për Kosovën, por sidoqoftë nuk e pengon procesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, disa nga standardet janë të lidhura direkt me serbët, si standardi i kthimit, siguria e të tjera…

ISMAIL HASANI
Kthimi është një segment tjetër i rëndësishëm, që do të duhej shikuar në proces dhe aktivitetet e faktorit vendor dhe ndërkombëtar janë në rrjedhë e sipër për realizimin, përmbushjen e këtij standardi të rëndësishëm. Por këtu është fjala për njerëzit që aktualisht jetojnë në Kosovë, pra për njerëzit që e kanë pasur të drejtën e votës dhe nuk e kanë shfrytëzuar. Prandaj, unë konsideroj që nuk do të duheshin mbetur pa u ndëshkuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se ndërtimi i qeverisë kërkon ndërtimin e koalicioneve. Cila do të ishte sipas jush formula më e përshtatshme për një qeverisje në Kosovë?

ISMAIL HASANI
Absolutisht, unë jam kundër këtyre koalicioneve të gjera dhe kundër zgjidhjeve që prodhuan një qeveri, e cila më në fund pas njëqind ditësh u konstituua, etj. etj., që në situata të ndryshme kemi pasur edhe fërkime midis ministrave, fërkime midis vetë kreut qeveritar. Por sidoqoftë, lufta për zënien e pozicioneve, e kam fjalën për liderët politikë, krerët e lidershipit kosovar, do të jetë emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre përpjekjeve për këto situata të ndryshme, që absolutisht unë nuk i parapëlqej që të ketë koalicion të gjerë qeveritar. Më në fund, unë konsideroj se proceset aktuale politike në Kosovë kërkojnë një pozitë dhe një opozitë, sa është e mundur, pasi dihet që rezultati i zgjedhjeve nuk është shumë i favorshëm për një pozitë të fortë, sepse asnjë parti nuk doli fituese absolute në këtë zgjedhje. Por sidoqoftë një kombinim i mundshëm që do të krijonte mundësi të krijohej një opozitë, e cila do të bënte përpjekje ta korrigjojë parlamentin në kuptim e ndërhyrjeve në situata të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, duket sikur edhe partitë që gjatë fushatës flisnin për një pozitë dhe opozitë, tani kanë nisur të flasin për koalicione të gjera. Sipas jush, cilat janë faktorët që kanë ndikuar për këtë ndryshim pozicionesh, përveç rezultateve të votimeve?

ISMAIL HASANI
Vetë formula e çuditshme e zgjedhjeve, listat e mbyllura, janë fajtorët kryesorë, pasi edhe më tutje neve vazhdojnë të na kalërojnë në politikën kosovare, figura të njëjta politike me disa ndryshime kozmetike. Të gjitha kalkulimet tani sillen rreth qarkut të asaj se kush me kë do të hyjë në koalicion, çfarë pozicioni do të zërë, pasi listat e partive janë të përgatitura para se të shkohet në vetë aktin e votimit. Kështu, që vetë formula është fajtori kryesor, sepse nuk është krijuar mundësi që njerëzit të hyjnë në garë dhe të marrin votat e merituar nga populli.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka pasur presion ndërkombëtar për këtë ndryshim pozicionesh?

ISMAIL HASANI
Konsideroj se po dhe mbase është rrugë e pashmangshme edhe ky presion, për arsye të mungesës së një koshience të subjekteve politike në Kosovë, sepse më tutje ne kemi disa sjellje, që në situata të ndryshme u ngjajnë veprimeve dhe sjelljeve parapolitike.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, çfarë mund të pritet nga viti 2005, zoti Hasani pasi kjo është përcaktuar si kohë e vlerësimit të jetësimit të standardeve?

ISMAIL HASANI
Detyrimisht standardet do të vlerësohen dhe Kosova do të marrë shpërblim për rrugën e mirë që po vazhdon, e kam fjalën për qeverisjen vendore, por edhe për investimet e faktorit ndërkombëtar që ka bërë për administrimin e Kosovës dhe për mbrojtjen e Kosovës. Dhe, këto vlerësime, këto çmime që do ti jepen Kosovës, konsideroj se do ta nënkuptojnë procesin e mirëfilltë të rrjedhës së proceseve demokratike që nënkupton edhe hapjen e bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG