Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT E PARTIVE TË MINORITETEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit e partive nga radhët e minoriteteve në Kosovë, janë shprehur të gatshëm që të hyjnë në institucionet vendore dhe koalicionet e mundshme me partitë e shumicës shqiptare. Këto qëndrime, këto parti politike, përveç "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë", i kanë shprehur pas takimeve të mbajtura sot me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Kryetari i "Iniciativës Qytetare Serbia", Sllavisha Petkoviç, tha se i pret rezultatet përfundimtare, të cilat do të sjellin një pasqyre më të saktë sa vende të rezervuara i takojnë këtij subjekti politik, dhe më pas do të vendosë për t’ju bashkuar eventualisht ndonjë koalicioni qeveritar me partitë politike nga radhët e shumicës:
“Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare dhe më pas do të bisedojmë në lidhje me koalicionet”, tha Petkoviç, për të shtuar se ai është i hapur për bisedime me të gjithë.
Ndëkohë, kryetari i subjektit politik VAKAT Xhezair Murati, që përfaqëson komunitetin boshnjak, tha se është i kënaqur me rezultatin, që sipas tij i siguron këtij subjekti politik, 3 deri në 4 ulëse në Kuvend:
“Të gjitha partitë që kanë pasur sukses në këto zgjedhje na kanë kontaktuar dhe jemi të kënaqur si bashkësi etnike”, tha Murati, duke shprehur gadishmërinë për koalicione të mundshme me partitë tjera nga radhët e shumicës shqiptare.
Gadishmërinë e vet për t’u kyçur në qeverinë e re të Kosovës, e ka shprehur edhe Mahir Jagxhilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës. Për çfarëdo koalicioni që do të përcaktohemi, ai do të jetë koalicion për Kosovën, tha Jagxhilar, duke shtuar se ai pret që partia e tij do t’i marrë katër vende në Kuvend:
“Ne tani për tani i kemi tre vende të sigurta e po presim edhe një prej votave me kusht, sepse jemi shumë afër e në qoftë se jo ne përsëri jemi të kënaqur”, tha Jagxhilar.
I vetmi subjekt politik nga radhët e komuniteteve që nuk ka qëndrim nëse do të marrë pjesë apo jo në institucionet e Kosovës, është "Lista Serbe për Kosovën e Metohinë". Oliver Ivanoviç, nga kjo Listë, tha se ende janë në pritje të qëndrimit të qartë të qeverisë së Serbisë, para se të marrin vendimin përfundimtar:
“Presim që qeveria e Serbisë ta thotë qartë qëndrimin e vet, pasi deri tani nuk e ka thënë asnjëherë qartë këtë qëndrim”, tha Ivanoviç. Vendimi i "Listës serbe", do ta qartësonte dhe ndarjen e vendeve të rezervuara për pakicën serbe, pasi në pritje për ndarjen e 10 ulëseve të rezervuara është dhe "Iniciativa Qytetare Serbia" e Sllavisha Petkoviçit, i cili ka vendosur të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.





XS
SM
MD
LG