Ndërlidhjet

ANGAZHIMI I INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS I KUFIZUAR NË NIVELIN E INFORMIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse familja e Shqipe Hebibit nga Peja të rrëmbyer disa ditë më parë në Afganistan, është e kënaqur nga angazhimi i institucioneve të Kosovës, megjithatë linjat e komunikimit ndërmjet familjes, Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë më shumë janë të nivelit informues, sesa të përpjekjeve që bëhen për ta shpëtuar jetën e saj. Mimoza Kusari, zëdhënëse e qeverisë së Kosovës thotë se qeveria ka pasur kontakte të vazhdueshme me familjen për t’i qenë afër në këto ditë të vështira, por linja e komunikimit të qeverisë përveç informimit ka qenë televizioni arab Al-Jazeera:
"Fatkeqësisht nuk ka pasur ndonjë formë të organizuar të komunikimit, pasi dihet se çfarë mund të jetë komunikimi me grupet e tilla në Afganistan dhe aq më pak duke pasur parasysh se qeveria e Kosovës ka shumë pak linja të tilla të drejtpërdrejta, që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Në këtë rast, apeli ka shkuar nga qeveria përmes kanalit televiziv Al-Jazeera në bazë të kontaktit të mëparshëm që kemi pasur me këtë kanal."
Zëdhënësja Kusari-Lila tha se qeveria informohet për mes misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe përmes zyrës së programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, e njohur me shkurtesën UNDP.
Zëdhënësi i UNDP-së në Prishtinë Virtyt Gacaferri, tha se ata janë në kontakt të vazhdueshëm me familjen në njërën anë dhe me zyrën e UNDP-së në Afganistan në anën tjetër.
"UNDP në Afganistan të gjitha informatat që ka dhe që janë të rëndësishme për familjen i dërgon në UNDP-në e Kosovës, kurse ne jemi në kontakt të përditshëm me familjen dhe me UNDP-në në Afganistan", thotë zoti Gacaferri, sipas të cilit bashkëpunimi me qeverinë është shumë i mirë për këtë çështje
"Me qeverinë e Kosovës kemi marrëdhënie të mira. Të gjitha informatat që janë të rëndësishme për qeverinë dhe për ne, qeveria është e njoftuar ".
Këtë e konfirmon edhe zëdhënësja Kusari-Lila, duke bërë të ditur se roli i qeverisë në këtë raport, është vetëm sa për t’u informuar dhe për të qenë në dijeni:
"Kjo është një çështje shumë delikate, ndërsa informacionet janë shumë të klasifikuara, pasi kemi të bëjmë me fatin e tre personave si punëtorë të OKB-së. Kryesisht janë dhënë informata të nivelit që nuk do ta rrezikonin jetën e të rrëmbyerve".
Ndërkohë, vëllai i Shqipes, Naim Hebibi thotë se është i kënaqur nga mënyra se si informohet familja nga UNDP dhe nga qeveria:
"Familja është e kënaqur me atë mënyrën e vet mjaft, pasi institucionet tona nuk mund të bëjnë më shumë, prandaj jemi të kënaqur me atë që kanë bërë dhe do të bëjnë në të ardhmen."
Naim Hebibi, duket i vetëdijshëm për fuqitë e kufizuara që ka qeveria e Kosoëvs, ndërsa bashkë me familjen vazhdon të lutet për fatin e motrës, për ç’gjë kishte ardhur sot në Prishtinë, që bashkë me qytetarë të luten që Shqipja të lirohet sa më shpejt.




XS
SM
MD
LG