Ndërlidhjet

GEORGE BUSH DHE REPUBLIKANËT PRIJNË NË ZGJEDHJET E 2 NËNTORIT


ANDREW F. TULLY

Derisa presidenti George Bush udhëheq ndaj senatorit demokrat John Kerry, vëmendja është përqëndruar në shtetin e Ohio-s, ku vota konsiderohet tepër e afërt.
Rrjetet televizive të lajmeve, kanë projektuar se Bushi ka fituar 27 shtete dhe 249 vota elektorale. Fitorja në Ohio, e cila sjell 20 vota elektorale, do ta afronte Bushin në pragun e 270 votave elektorale, të nevojshme për ta fituar presidencën. Por disa rrjete televizive kanë refuzuar të projektojnë fitoren e Bushit në këtë shtet federal.
Kerry ka fituar të paktën 17 shtete, përfshirë Distriktin Kolumbia, dhe ka marrë 225 vota elektorale.
Para disa orësh, kandidati demokrat për nënpresident, John Edwards, u tha mbështetësve të Kerry-t se "demokratët do të luftojnë për çdo votë".
"Ishte një natë e gjatë, por ne me vite e kemi pritur këtë fitore. Mund ta presim edhe një natë", tha Edwards.
Zyratrët e zgjedhjeve në Ohio thanë se do t'u nevoiten 11 ditë për ta shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Fjala është për rreth 250 mijë vota, të ashtuquajtura "të përkohshme", vlefshmëria e të cilave ende nuk është e qartë.
Duke i ndjekur rezultatet e zgjedhjeve nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Bush u tha gazetarëve sa vijon:
"Besoj se do të fitoj, ju falemnderit. Ndjehem shumë mirë për këtë. I ndjekim rezultatet këtu bashkë me fasmiljen dhe miqtë. Do të jetë një mbrëmje ngacmuese", tha Bush.
Për sa u përket votave popullore, nga të cilat janë numëruar 89%, Bushi udhëheq me 63.6 milionë vota, apo 51% ndaj Kerry-t, i cili ka marrë 49.9 milionë vota, apo 48%.
Në zgjedhjet e së martës u krijuan radhë të gjata të njerëzve, që prisnin të votojnë, ndërsa disa analistë parashikuan se në zgjedhje do të dalin rreth 120 milionë votues. Probleme të mëdha gjatë votimit nuk janë regjistruar.
Allan Lihtman, profesor nga 'Universiteti Amerikan' në Uashington, thotë se në zgjedhjet e sivjeme, do të vendosen shumë gjëra.
"Presidenti i ardhshëm i vendit me gjasë do ta përcaktojë kursin e gjykatës Supreme për 30 apo 40 vitet e ardhshme. Së dyti, ka kaluar shumë kohë që kur nuk kemi patur zgjedhje në kohë lufte, dhe këtu vendoset edhe për kahjen e ardhshme të luftës dhe të politikës së jashtme amerikane. Së fundi, dallimet ideologjike ndërmjet kandidatëve janë të qarta. Kerry më shumë anon nga klasa punëtore, ndërsa Bushi mbështetet në forcat e tregut dhe në nxitjen e komunitetit të biznesit", thotë Lihtman.
Por Natan Brown sheh më pak dallime në mënyrën se si dy kandidatët do ta drejtojnë politikën e jashtme. Braun është profesor i shkencave politike dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin 'George Uashington', në Uashington.
"Ajo që kandidatët kanë debatuar është e kaluara, e jo se çfarë do të bëjnë më tutje. Dhe, kur flasin për të ardhmen, ata sikur tingëllojnë njësoj, të dy pohojnë se do ta mbajnë kursin në Irak. Madje fushata më shumë i ka zbutur dallimet mes tyre", thotë Brown.
Ndërkohë në Kongres, rezultatet e projektuara tregojnë se Partia Republikane e presidentit George Bush do ta mbajë kontrollin në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke siguruar të paktën 51 vende. Parashikimet e para gjithashtu sugjeruan se Republikanët do ta kenë kontrollin edhe në mesin e 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve.
XS
SM
MD
LG