Ndërlidhjet

PROTESTË E FAMILJARËVE TË TË ZHDUKURVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Dhjetëra qytetarë, të afërm të personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë, prej sot e deri të premtën do të bllokojnë për tetë orë rresht dy udhëkryqet kryesore të Prishtinës. Kjo bllokadë realizohet në kuadër të një proteste të organizuar, në kërkim të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Nysrete Kumnova, kryetare e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, tha se institucionet e Kosovës patjetër duhet të merren më seriozisht më këtë çështje, pasi sipas saj, deri tani nuk kanë bërë asgjë konkrete.
“Ndoshta këtë herë do të bëjmë presion më të madh tek ndërkombëtarët dhe ndërkombëtaret tek Serbia. Po jemi këmbëngulës që do të qëndrojmë tre ditë, por nëse është nevoja edhe më tepër, do të qëndrojmë deri në vdekje derisa t'i gjejmë të gjithë, edhe shqipëtarin e fundit si në Serbi po ashtu edhe në Kosovë”, tha zonja Kumnova.
Ibrahim Makolli, nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, tha se përveç protestave të familjarëve të të zhdukurve, askush deri tani nuk ka bërë asgjë për fatin e tyre.
“Çështja e të zhdukurve në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë në raport më shkallën dhe nevojën që paraqitet për këta persona dhe fatkeqësisht edhe më tutje familjarët po detyrohen që më forma të tilla të shprehin pakënaqësinë, po ashtu po përpiqen që të zgjojnë ndërgjegjen qoftë të institucioneve dhe shoqërisë e konkretisht mekanizmave ndërkombëtare që më në fund të ndërmarrin masa që të mësohet përfundimisht për këtë kategori të këtyre personave,” tha zoti Makolli.
Protesta e sotme pason njoftimet e autoriteteve zyrtare në Beograd për egzistimin e 17 varrezave masive në Serbi. Për zonjën Kumnova kjo është një arsye më tepër që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të shtojnë trysinë tek autoritetet e Beogradit. Zoti Makolli ndërkaq pohon se Beogradi këto raste i publikon vetëm kur duhet të fitojë poena politike.
“Ne jemi mësuar që me pompozitet të paraqiten rastet e reja të zbulimit në Serbi. Megjithatë, ato nuk janë zbulime, sepse ato janë ditur gjithmonë se ekzistojnë, por gjithmonë politika e Beogradit i ka publikuar në momentin kur ka përfituar, qoftë politikisht, apo në forma të tjera”, tha zoti Makolli.
Prej varrezave masive në Serbi, deri tani janë kthyer 330 trupa të pajetë të shqiptarëve, ndërkohë që rreth 800 të tjerë vazhdojnë të mbeten në Serbi. Albin Kurti, udhëheqës i Rrjetit të Aksionit për Kosovën, tha se autoritetet e Beogradit duhet t’i kthejnë të gjitha kufomat përnjëherë.
“Është e vërtetë se edhe prej institucioneve të Kosovës, edhe prej UNMIK-ut është neglizhuar kjo çështje. Ata shumë më tepër po i konsiderojnë problem familjarët e të zhdukurve që po protestojnë, se sa faktin se pesë vjet pas përfundimit të luftës, 3500 qytetarë të Kosovës vazhdojnë të mbeten ende të pagjetur", tha zoti Kurti.
Ndryshe, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, më shumë se 3500 persona llogariten si të zhdukur, rreth 3000 prej të cilëve janë shqiptarë.
XS
SM
MD
LG