Ndërlidhjet

UNMIK-U PA QËNDRIM RRETH KOHËZGJATJES SË MANDATIT TË INSTITUCIONEVE TË PAS 23 TETORIT


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ende nuk ka marrë një vendim zyrtar për zgjatjen e mandatit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 23 tetorit nga tri në katër, edhe pse një gjë e tillë qe premtuar të bëhet menjëhërë pas zgjedhjeve. Zyrtarët e UNMIK-ut thanë se aktualisht ka punë që janë më prioritare dhe se kjo çështje do të presë edhe pak kohë. Udhëheqësja e drejtorisë së informacionit në UNMIK, Hua Jiang tha se ende nuk dihej se kur do të merrej vendimi për zgjatjen e mandatit.
"Përpara zgjedhjeve shefi i UNMIK-ut nuk e ka shqyrtuar këtë çështje, mirëpo nuk jam e sigurt se kur ai do të merret me këtë çështje dhe për të qenë e sinqertë, më duhet të them se nuk e di se kur do të merret ky vendim", tha zëdhënësja Hua Jiang.
Në të vërtetë, pak javë para zgjedhjeve, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi pati kërkuar zyrtarisht nga shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen që të zgjasë mandatin e institucioneve që do të dilnin nga zgjedhjet e 23 tetorit, në mënyrë që ky mandate të ishte i plotë, katërvjeçar. Atëbotë zyrtarët e UNMIK-ut patën deklaruar se kërkesa ishte mirëpritur dhe se së shpejti do të zyrtarizohej sapo të mbaheshin zgjedhjet.
Mirëpo, zhvillimet aktuale lidhur me konstituimin e institucioneve, e kanë zhvendosur vëmendjen e UNMIK-ut nga kjo çështje.
"Ka shumë çështje të tjera më urgjente me të cilat duhet të merremi menjëherë, prandaj jemi përqendruar në këto prioritete", tha Hua Jiang, sipas të cilës aktualisht nuk dihet madje nëse do të merret një vendim i tillë, pasi prioritetet janë në rend të parë, por jo edhe çështja e mandateve:
"Të gjithë e presim formimin e qeverisë dhe më pastaj pritet fillimi i punës së disa grupeve punuese, para së gjithash atyre për decentralizimin", tha Hua Jiang, duke shfaqur shpresën se kjo punë do të bëhet me pjesëmarrjen e mandatit të ri të institucioneve vendore dhe në këto grupe do të marrin pjesë edhe serbët.
Sidoqoftë, Jiang nuk ka pohuar nëse UNMIK-u ka preference për ndonjërën nga formulat e qeverisjes, nga disa që po negociohen.
"Diskutimet tash për tash në masë të madhe varen nga vetë liderët politikë", tha Hua Jiang.
Në anën tjetër, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, punë që zoti Jessen Petersen pritet ta bëjë të martën, deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës u duhet që brenda tridhjetë ditësh ta konstituojnë Kuvendin dhe më pas të zgjedhin edhe presidentin dhe kryeministrin, si dhe ta miratojnë qeverinë e re, pavarësisht se ende nuk dihet me siguri nëse mandati i tyre do të jetë tre apo katërvjeçar.

Rrahman Pacarrizi
XS
SM
MD
LG