Ndërlidhjet

PRAGË


Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush i ka shprehur popullit palestinez ngushëllimet e Amerikës.
Bush tha në një deklaratë me shkrim se vdekja e Arafatit është moment i rëndësishëm në historinë palestineze, duke shfaqur shpresën se e ardhmja do të sjellë paqe dhe plotësimin e aspiratave të popullit palestinez për krijimin e Palestinës së pavarur e demokratike, në paqe me fqinjët e saj.
Kryeministri britanik Tony Blair tha se Arafati u ka prirë palestinezëve drejt njohjes historike të nevojës për zgjidhjen e dy shteteve, dhe shtoi se paqja në Lindjen e Mesme duhet të jetë prioriteti më i lartë i bashkësisë ndërkombëtare.
Presidenti i Francës Jacques Chirac tha se Arafati ka qenë njeri i guximit dhe bindjes, që e mishëroi luftën e palestinezëve për shtetin e tyre.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se vdekja e Arafatit ishte humbje e madhe për të gjithë palestinezët dhe udhëheqësinë e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se ishte "thellë i prekur" nga vdekja e Arafatit. Kofi Annan tha se Arafati do të mbahet mend për udhëheqjen e palestinezëve në pranimin e parimeve të koekzistencës paqësore ndërmjet Izraelit dhe shtetit të ardhshëm palestinez.
Në komentet e para të Izraelit, Shimon Peres, i cili e ndau Çmimin Nobel me Arafatin, tha se vdekja e tij shënon përfundimin e një epoke. Gabimi më i madh i Arafatit ishte kur iu kthye terrorizmit, ndërsa e arritura më e madhe kur u përpoq të ndërtojë paqen, tha Peres.
Ministri izraelit i Drejtësisë Yosef Lapid e akuzoi liderin palestinez për terrorizëm global dhe dështimin në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Izraeli i ka mbyllur Bregun Perëndimor dhe Ripin e Gazës, ndërsa ka dërguar edhe trupa shtesë për përforcimin e zonave pas vdekjes së Arafatit.
XS
SM
MD
LG