Ndërlidhjet

logo-print

PACK: "KOSOVA PAVARËSI E KUSHTËZUAR NËN MBIKQYRJEN EVROPIANE"


Doris Pack, kryetare e Delegacionit për Evropën Juglindore në PE

EVROPA E LIRË
Zonja Pack, derisa Kosova është në rrugë për krijimin e një qeverie të re, kurse mesi i vitit 2005 është caktuar si kohë për rishikimin e zbatimit të standardeve, si e shihni ju cështjen e statusit përfundimtar të Kosovës?

PACK
Mendoj se nuk është e lehtë të përgjigjësh, për më tepër kur kjo përgjigje nuk varet vetëm prej meje. Ajo që po bëj unë është t'i tërheq vëmendjen se nuk duhet të mendojmë për këtë problem vetëm kur të vijë mesi i vitit 2005, pasi sa më shpejt të zgjidhet statusi aq më shpejt paqja dhe qëndrueshmëria do vijnë në Kosovë. Unë kam një ide timen për të ardhmen e Kosovës që lidhet me faktin se askush nuk mund t'i detyrojë shqiptarët të jenë nën qeverisjen e Serbisë. Unë e kam parë aparteidin e ushtruar kundër shqiptarëve nga qeveria serbe në vitet '90 ndaj nuk mund t'u kërkohet shqiptarëve kthimi me Serbinë. Duhet të jetë një lloj pavarësie dhe unë do preferoja një pavarësi të kushtëzuar ku Bashkimi Evropian duhet të ketë mbikqyrjen për periudhën pas pavarësisë. Dhe kjo pasi mendoj se Kosova, Serbia e Mali i Zi një ditë do t'i bashkangjiten Bashkimit Evropian e do bashkëpunojnë në këtë kuadër. Pra pavarësi e kushtëzuar nën protektoratin e Bashkimit Evropian, por unë nuk jam juriste ndaj të tjerët duhet të përcaktojnë modalitetet.

Evropa e Lirë
Sa mbështetje ka ideja juaj në mesin e strukturave të Bashkimit Evropian?

PACK
Vizioi im nuk është diskutuar ende, pasi e kam shfaqur së pari në media. Kjo cështje do diskutohet dhe unë kam kërkuar që të kemi një seancë dëgjimore në Komitetin e Mardhënieve me Jashtë të Parlamentit Evropian dhe besoj se këtë vit do ta diskutojmë këtë problem si dhe idetë e të tjerëve. Së paku shpresoj që dhe të tjerët do vijnë me ide rreth zgjidhjes së kësaj cështje. Por duhet të nënvizoj se duhet t'i jepet rëndësia reale, as më e madhe dhe as më e vogël, idesë së një anëtari të Parlamentit Evropian. Por unë mendoj se më takon të flas për problemet jo t'i fsheh ato, pasi për 15 vjet kam pasur përgjegjësi për këtë rajon. Më duhet të shtojë se Kosova është kancer për Serbinë dhe është në të mirë të Serbisë të mos ketë të bëjë më me Kosovën, por të lirohet prej saj. Në këtë mënyrë Serbia do gjejë më lehtë dhe rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Evropa e Lirë
Kthimi i serbëve dhe përfshirja e tyre në jetën e Kosovës mbetet ende një cështje e nxehtë. Ndërkaq UNHCR ka deklaruar së fundi se refugjatët serbë nuk kanë dëshirë të kthehen.

PACK
Së pari ne nuk luftuam për të lejuar shqiptarët e Kosovës që të bëjnë të njëjtën gjë kundër serbëve, si këta të fundit në vitet '90. Shumica e shqiptarëve e kuptojnë një gjë të tillë, por për fat të keq ka ende elementë kriminal që nuk duan paqe në Kosovë. Mendoj se këta nuk janë vetëm shqiptarë. Ka shumë grupe që nuk duan paqe në Kosovë pasi mund të bëjnë lehtësisht trafiqe dhe punët e nëntokës. Ata nuk mund të veprojnë lirshëm e të bëjnë para në një Kosovë demokratike dhe funksionale.
Ndërkaq serbët së pari nuk duan të kthehen në Kosovë për cështje sigurie, por një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk duan të kthehen në Kosovë, kur shkalla e papunësisë është shumë e lartë. Përse duhet të kthehet nga Serbia qoftë dhe shtëpinë e tij kur nuk ka punë? Prandaj detyra bazë e qeverisë së re në Kosovë është të punojë me UNMIK-un për të tërhqur investime dhe për të krijuar vende pune. Kjo është një nga mënyrat edhe për të luftuar kriminalitetin. Në një popullsi ku mbi gjysma janë të rinj dhe të papunë, atëherë situara është e rrezikshme. Por ne duhet të punojmë paralelisht në cështjet e sigurisë dhe punësimit.
Nga ana tjetër dua të theksoj se derisa të kemi enklava kjo është shenjë shumë e keqe për kthimin e serbëve, pasi kush do të kthehet në enklava.
Po kjo nuk është e njëjtë për të gjithë serbët, pasi ka nga ata serbë të Kosovës që qeshin me idenë e enklavave dhe thonë se ato ekzistojnë vetëm ditën pasi natën ata lëvizin lirshëm si në Prishtinë edhe në Nish. Mendoj se duhet të punojmë në eleminimin e enklavave dhe duhet të shtojmë punën në terren duke shtuar bashkëpunimin mes banorëve të fshatrave me serbë dhe fqinjëve të tyre shqiptarë. Por kjo kërkon njerëz që punojnë realisht në terren për të zhdukur enklavat.

Evropa e Lirë
Nëse do bënit një hartë të grupeve që nuk dëshirojnë integrimin e serbëve në Kosovë si do dukej ajo?

PACK
Së pari do theksoja se janë grupet kriminale nga të gjitha anët dhe të gjitha kombësitë. Ngas ana tjetër janë politikanët e Beogradit që duan të tregojnë se Kosova nuk funksionon. Dhe në këtë mënyrë ky bëhet një mision i pamundur. Nga njëra anë ne i kërkojmë qeverisë së Kosovës të bëjë më shumë për kthimin e serbëve në anën tjetër kemi Beogradin që nuk dëshiron t'i lërë ata të kthehen, pasi duan prova që të thonë se kthimi nuk funksionon. Pra është shumë e vështirë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që politikanët seriozë dhe qeveria në Beograd duhet të rishohin sjelljen dhe qëndrimin e vet përballë Kosovës. Nga ana tjetër shqëiptarët e Kosovës duhet të jenë më të ndërgjegjshëm se përmirësimi i gjendjes së pakicave dhe vecanërisht asaj serbe është shumë i rëndësishëm dhe se pa të cështja e statusit shtyhet. Nga ana tjetër serbët në zgjedhjet e fundit nuk morrën pjesë jo thjesht se nuk kishte peshë qëndrimi i tyre, por se i druhen faktit se pjesëmarrja e tyre do afrojë zgjidhjen e cështjes së statusit.
Në këtë moment duhet një qasje e pakompromis e bashkësisë ndërkombëtare që të zgjidhë problemin e Kosovës dhe t'i sjellë shqiptarët e serbët në një pikë të përbashkët. Por ndonëse është e vështirë është e mundshme.

Evropa e Lirë
Beogradi ka përsëritur edhe së fundi e këtu kam parasysh zëvendëskryeministrin, ish kryeministrin serb etj se ndarja e Kosovës është zgjidhje e pranueshme për serbët. Cili është reagimi juaj duke pasur parasysh ndikimin në rajon?

PACK
Nuk mendoj se ndarja e Kosovës është zgjidhje, por Kosova duhet të ruajë tërësinë. Ndarja e një vendi të vogël është e pakuptimtë. Ndërkaq ky hap do ketë ndikim negativ mbi Maqedoninë ku palët po përpiqen të ndërtojnë një shtet të përbashkët. Në rast të ndarjes së Kosovës pjesa e pasur me minerale do ishte në një anë dhe pjesa tjetër e varfër në anën tjetër, cfarë nuk është në rregull. E kuptoj faktin që serbët duan garanci për pasurinë kulturore, por ndarja nuk është zgjidhje.

Evropa e Lirë
Labus ka kërkuar mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën vitin e ardhshëm. Cili është reagimi juaj ndaj një propozimi të tillë?

PACK
Ideja e konferencës ndoshta është e nevojshme. Por ajo që duhet bërë është të punohet qysh tani dhe të gjejmë zgjidhje që mund të diskutohen mes shqiptarëve, serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është problemi në mbajtjen e një konference, por në atë se cfarë duhet diskutuar. Prandaj që tani duhet punuar në tërësinë e zgjidhjeve.
Zoti Jessen Petersen më ka dhënë idenë se deri në momentin e fillimit të diskutimit të statusit, pra në mesin e vitit tjetër, duhet të jenë struktura që duhet të punojnë në ofrimin e zgjidhjeve të mundshme. Dhe në mes të vitit tjetër me rishikimin e standardeve edhe idetë e propozimet e atyre që punojnë në këtë drejtim mund të shqyrtohen në një konferencë. Pra nuk është konferenca që zgjidh problemin, por idetë e ofruara.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG