Ndërlidhjet

Luftë retorike kundër korrupsionit


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Lufta kundër korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet ende në nivel të retorikës, thonë drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Sipas tyre, kjo retorikë po krijon mundësinë që korrupsioni të shtrihet edhe më tutje në Kosovë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se Kosova dhe institucionet e saj nuk po shënojnë përparim në luftën kundër kësaj dukurie.

Hasan Preteni
Në bazë të informacioneve që arrijnë, them se nuk ka ndonjë progres të veçantë në këtë angazhim. Nuk mund të mburremi për një progres të realizuar në këtë fazë”, deklaron ai.

Preteni thotë se ka kaluar koha e deklaratave dhe publikimeve për të treguar se në cilin nivel ndodhet Kosova sa i takon korrupsionit. Ai bën thirrje që të veprohet sa më shpejt në këtë drejtim.

“Në rend të parë e kam fjalën për prokuroritë... Prokuroritë nuk duhet të paragjykojnë, por ato duhet të veprojnë. Pas veprimit mund të deklarojnë ose t’i publikojnë rezultatet e punës së tyre”, thekson Preteni.

Në anën tjetër, edhe Ramadan Ilazi, drejtor i organizatës joqeveritare “Fol”, kritikon mosangazhimin e duhur në luftën ndaj korrupsionit.

“Progresi ka qenë vetëm retorik, kurse në praktikë nuk e kemi parë progresin e nevojshëm”, thotë ai.

Ilazi u bën thirrje zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke përmendur edhe misionin e EULEX-it, që të kryejnë punën e tyre ashtu si duhet, kur bëhet fjalë për rastet e dyshuara korruptive.
Nëse nuk ka rezistencë ndaj akteve të korrupsionit, ai rritet.

“Nëse nuk ka rezistencë ndaj akteve të korrupsionit, ai rritet. Nëse ne kemi një mision si EULEX-i, i cili bastis ministri dhe pastaj kalon një vit pa asnjë informacion, këtu kemi të bëjmë me inkurajim të korrupsionit dhe jo me ulje të korrupsionit”, thekson Ilazi.

Kritika dhe shqetësime për nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë kanë shprehur shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Në një raport të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thuhet se në bazë të perceptimeve të popullsisë, korrupsioni në disa institucione vazhdon të jetë i pranishëm në shkallë të madhe.

Preteni thotë se numri më i madh i rasteve korruptive është në ndërmarrjet publike dhe në Qeveri.

“Sfera e korrupsionit është te proceduarat e tenderimit, procedurat e prokurimit - kjo është fusha që vazhdimisht po gjeneron”, thotë ai.

Lexoni edhe këtë:
Burimet e korrupsionit
XS
SM
MD
LG