Ndërlidhjet

Kush fitoi nga marrëveshjet?!


Foto arkiv
Foto arkiv
Përfaqësues të pozitës dhe ata të opozitës vazhdojnë t’i vlerësojnë në mënyra të ndryshme marrëveshjet e arritura në bisedimet Prishtinë – Beograd. Partia më e madhe në pushtet, PDK-ja, vlerëson se marrëveshjet paraqesin një kthesë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa LDK-ja, si subjekti më i madh opozitar, vlerëson se fituese nga ky dialog do të dalë vetëm Serbia.


Arritja e marrëveshjeve të para në dialogun Prishtinë – Beograd mbetet temë qendrore e debateve dhe diskutimeve te subjektet politike në Kosovë.

Përderisa opozita këmbëngul që qeveria t’i sjellë ato marrëveshje në Kuvend dhe t’i shpalosë në detaje përmbajtjet e tyre, partia më e madhe në pushtet i vlerëson si pozitive këto marrëveshje me Serbinë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se opozita është e prirë të kritikojë. Por, sipas tij, këto marrëveshje shënojnë përpjekjet e para të Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet aspak të mira për vite të tëra.

“Ne jemi tani dy kombe, dy popuj, dy vende fqinje që kemi luftuar me njëri-tjetrin dhe po bëjmë përpjekje t’i tejkalojmë vështirësitë dhe problemet që kanë të dy popujt tanë, andej dhe këndej kufirit”, thotë Haliti.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i cilëson fare marrëveshje por konkluzione arritjet e fundit në dialogun Kosovë - Serbi në Bruksel.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se vetë organizatori dhe ndërmjetësuesi i bisedimeve, Bashkimi Evropian, nuk po i quan ato marrëveshje, por konkluzione.
...është fatkeqe që përfaqësuesja e Kosovës të pajtohet me diçka që nuk e vë Kosovën në pozicion të barabartë ndërshtetëror me Serbinë.

“Në asnjë moment këto nuk mund të quhen marrëveshje ndërshtetërore. Ju e keni dëgjuar edhe përfaqësuesin e BE-së dje, i cili tha se këto konkluzione nuk e paragjykojnë statusin e Kosovës. Dhe, është fatkeqe që përfaqësuesja e Kosovës të pajtohet me diçka që nuk e vë Kosovën në pozicion të barabartë ndërshtetëror me Serbinë”, thekson Osmani.

Ndonëse bëhet fjalë për marrëveshje të panënshkruara dhe të pamiratuara nga Kuvendi i Kosovës, ato janë një e arritur për të dyja vendet, thotë në anën tjetër deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

Arritja e marrëveshjes është një e arritur e qëllimeve të Kosovës që të veprojë drejt shtensionimit të marrëdhënieve.
“Arritja e marrëveshjes, edhe pse e panënshkruar dhe e pamiratuar sipas Kushtetutës në Kuvendin e Kosovës, është një e arritur do të thosha e të dyja delegacioneve; një e arritur e qëllimeve të Kosovës që të veprojë drejt shtensionimit të marrëdhënieve; një e arritur në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë, e në veçanti një lehtësim do të thosha për regjistrat civilë”, shprehet Haliti.

Krejtësisht ndryshe nga deputeti i PDK-së, Haliti, mendon deputetja e LDK-së, Osmani.

Ajo thotë se procesi i bisedimeve i ka definuar qartë përfitimet e Serbisë, por jo edhe të Kosovës, e cila në këtë rast, sipas saj, vetëm po e ndihmon Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së.

“Nëse flasim për procesin në tërësi, është e qartë se Serbisë i është premtuar diçka shumë konkrete. I është premtuar statusi i kandidatit për në BE, i është premtuar një proces integrues shumë më i shpejtë, derisa Kosova as nuk ka negociuar me BE-në që ta marrë - thënë në gjuhën diplomatike - karotën e saj nga këto bisedime”.

“Do të thotë, në asnjë moment nuk është ulur që t’i kërkojë përfitimet e saj në këtë dialog. I tërë procesi i arritjes së marrëveshjeve është diçka që e dëmton Kosovën, sepse është e qartë që Kosova nuk është palë e barabartë në këtë proces”
, thotë Osmani.

Përderisa subjektet politike shprehin pikëpamje të ndryshme në lidhje me rezultatet e para të dialogut Kosovë – Serbi, kryenegociatorja e palës kosovare, Edita Tahiri, ka bërë të ditur se zbatimi i marrëveshjeve nën mbikëqyrjen e BE-së fillon nga 1 nëntori, duke mos e përmendur ratifikimin e tyre në Kuvend, siç po kërkon opozita.
XS
SM
MD
LG