Ndërlidhjet

Burimet e korrupsionit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Korrupsioni në Kosovë, sipas OJQ-ve që merren me luftimin e kësaj dukurie, burimin e ka te tenderët, lejet e ndërtimit dhe te partitë politike. Por, edhe pse flitet, drejtësia ende nuk po e thotë fjalën e vet kundër atyre që keqpërdorin paranë publike. Sipas organizatës “Fol”, 47 zyrtarë të prokurimit kanë dosje në Prokurori, ndërsa ende vazhdojnë të menaxhojnë me paratë e buxhetit.


Tenderët, privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe dhënia e lejeve për ndërtime, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare që merren me luftën anti-korrupsion, janë burimet kryesore të korrupsionit në Kosovë.

Ata thonë se korrupsioni në nivel të lartë vazhdon të jetë pengesë e madhe për zhvillimin e vendit në shumë aspekte.

Drejtori i organizatës “Fol”, Ramadan Ilazi, përmend disa nga burimet kryesore të korrupsionit në Kosovë.

“Tenderët ose prokurimi, dhënia e kontratave të ndërtimit, në këtë kontekst po e fus edhe procesin e privatizimit në Kosovë. Dhe, burimi i tretë, janë financat e partive politike, të cilat në një mënyrë janë kumbarët e korrupsionit në kuptimin që në çdo aktivitet ose çdo aferë korruptive, në një mënyrë ose një tjetër, qarkullohet ose filtrohet edhe përmes kanaleve të partisë”
, thotë Ilazi.

Edhe Ismet Kryeziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thekson se në Kosovë ka shumë burime të korrupsionit. Ai drejton gishtin kah partitë politike.

“Kur flasim për partitë politike, flasim për institucionet, që formohen nga to, normalisht, këtu përfshihen edhe institucionet e tjera, ku kryesisht fusha e prokurimit apo fusha e kapitalit shoqëror, e cila keqmenaxhohet përmes dhënies së tenderëve, abuzimit me mjetet publike. Fushë tjetër është edhe Gjyqësori, i cili përveç që ka shenja dhe raporte për korrupsion në të, nuk e ka integritetin e mjaftueshëm për ta luftuar korrupsionin”
, thotë Kryeziu.

Organizatat joqeveritare, që merren me parandalimin e korrupsionit, thonë se dukuria e korrupsionit në vend është e pranishme kudo, ndërsa lufta kundër saj nuk ka treguar ende ndonjë rezultat konkret.

Ramadan Ilazi, nga Organizata “Fol”, apelon te sistemi i drejtësisë që të kryejë punën e vet ashtu si duhet, pavarësisht gjendjes së krijuar politike. Sipas tij, pasojat e nivelit të lartë të korrupsionit po e vështirësojnë zhvillimin e vendit.

“Niveli i lartë i korrupsionit, e sidomos mosgjykimi i korrupsionit, ka bërë që Kosova të jetë një vend aspak atraktiv për investimet e huaja, siç është dëshmuar edhe në raportin e Bankës Botërore ku ne jemi në fund të listës që kompanitë të vijnë të investojnë në Kosovë. Për shembull, vetëm në sektorin e prokurimit, 47 zyrtarë kanë dosje në Prokurorinë e Kosovës, e të njëjtit vazhdojnë të menaxhojnë me fondet publike”,
shpjegon Ilazi.

Ndryshe, në raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion, thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë një pengesë e madhe për zhvillimin e demokracisë, konkurrencës së lirë dhe transparencës.

Aty, po ashtu, thuhet se problemet që i janë shkaktuar qeverisjes së mirë nga pasurimi “brenda natës”, duket se vendit do t’i sjellin sfida që nuk do të jenë të lehta që të tejkalohen.

Ndërkaq, Kryeziu nga KDI-ja shpreh mendimin se ngecjet e Kosovës në zhvillimin ekonomik kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e lartë të korrupsionit në shumë institucione.

“E keqja apo ngecja kryesore e zhvillimit të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve apo zhvillimit ekonomik, është fenomeni i korrupsionit. Fatkeqësisht në Kosovë, ky fenomen është në atë nivel të lartë, sa nuk lejon zhvillimin e demokracisë, po edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve”,
shprehet Kryeziu.

Gjatë vitit 2010, Agjencia Kundër Korrupsionit ka proceduar 29 kallëzime penale në prokuroritë kompetente, ndërsa numri i personave të dyshuar për përfshirje në veprime korruptive, është 101. Vlera totale e dëmit të shkaktuar nga këto veprime supozohet të jetë mbi 10 milionë euro.

Por, asnjë rast i iniciuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit nuk është zbardhur në tërësi nga drejtësia, rrjedhimisht askush nuk ka dhënë përgjegjësi për humbjet e mëdha që supozohet t’i jenë shkaktuar buxhetit.
XS
SM
MD
LG