Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË E VOGLA LOJËTARË TË RËNDËSISHËM NË KRIJIMIN E QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Partitë që kanë fituar një numër të vogël deputetësh në parlamentin e Kosovës, kanë fituar më shumë peshë në zhvillimet e fundit rreth ndërtimit të institucioneve të reja të Kosovës, sidomos pas riplasimit të koncepteve për ndërtimin e qeverisjes pozitë-opozitë, ku këto parti mund të përfitojnë nga partitë e mëdha. Sidoqoftë, jo të gjitha këto parti, që synojnë të jenë pjesë e qeverisjes në çfarëdo varianti, janë të përfshira në bisedimet e deritanishme.
Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane Mark Krasniqi, tha sot se kjo parti ende nuk është përfshirë në bisedimet për gjetjen e formulës së qeverisjes:
"Tani për tani nuk është përfshirë asnjë parti, përveç tre partive të mëdha që po bisedojnë, neve nuk na kanë ftuar njëherë për njëherë. Megjithatë të shohim, sepse procesi është në vazhdim. Nëse bëhet ndonjë koalicion ne jemi në koalicion të natyrshëm me Lidhjen Demokratike dhe pretendojmë të kemi edhe ndonjë vend udhëheqës në këtë koalicion ".
Zoti Krasniqi tha se LDK-ja jo vetëm që është aleate e demokristianëve, por është edhe bamirëse e kësaj partie që ka fituar dy vende në parlamentin e ri të Kosovës, prandaj shpresohet se së paku një ministri do t’u takojë pikërisht demokristianëve.
Në anën tjetër, subjekti politik Vakat që është një koalicion i disa subjekteve që përfaqësojnë pakicat boshnjake dhe gorane të Kosovës, është përfshirë në negociatat aktuale për ndërtimin e institucioneve, tha Sadik Idrizi, i dyti në listën e këtij koalicioni:
"Mendoj se jemi të përfshirë në bisedimet që po bëhen për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, edhe pse jo në masën që e kemi pritur," tha Sadik Idriz, sipas të cilit pozicioni i këtij koalicioni varet nga ofertat e partive të mëdha. Ai tha se arritja e marrëveshjes nuk varet shumë nga partitë e vogla, por nga partitë e mëdha shqiptare, por koalicioni Vakat dëshiron të jetë pjesë e institucioneve dhe kjo është edhe në interesin e partive të mëdha dhe ndërtimit të imazhit më të mirë të institucioneve, ku do të kishte një përfshirje më të madhe të pakicave.
Siodoqoftë, thotë zoti Idriz, ky koalicion nuk ka ndonjë preferencë për formulën e qeverisjes:
"Varianti ynë është që ne duam të jemi në pushtet, por do të bisedojmë me të gjithë dhe për ne janë të pranueshme të dyja variantet, qoftë bashkëqeverisja e gjerë, qoftë formula që nxjerr pozitën dhe opozitën," tha përfaqësuesi i koalicionit Vakat, Sadik Idriz.
Në anën tjetër, kryetari i PSHDK-së Mark Krasniqi, tha se kjo parti parapëlqen raportin e qeverisjes pozitë-opozitë:
"Në një shtet demokratik dhe sovran është mirë ta ketë një parti pushtetin, ndërsa shumë parti të tjera të jenë në opozitë, pasi opozita konstruktive mund të jetë vlefshme po aq sa edhe pozita në pushtet", tha zoti Krasniqi, duke pohuar megjithatë se edhe qeveria e koalicionit të gjerë që ka qeverisur Kosovën në tre vjetët e fundit, ka qenë mjaft e suksesshme.
Ndërkohë, përfaqësuesit partiakë thonë se duke filuar nga sot, janë intensifikuar bisedimet për qeverisjen e re, të cilat pritet të qartësohen edhe më shumë pas kthimit të kryeadministratorit Jessen Petersen nga një turne evropian në fund të të cilit do të takojë edhe liderët e partive më të mëdha politike.


XS
SM
MD
LG