Ndërlidhjet

TRAFIKIMI SEKSUAL I FËMIJËVE-EPIDEMI AZIATIKE


Antoine Blua

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se mbi 1 milionë fëmijë, çdo vit përfshihen në tregun global të seksit.
Fëmijët mashtrohen apo joshen dhe zakonisht nxirren jashtë vendit.
Në disa raste, gjatë një nate detyrohen t'u shërbejnë më shumë se 10 klientëve, ndërsa shfrytëzohen edhe për përhapjen e pornografisë në internet.
Policia në qytetin Shymkent të Kazakistanit tha se gjatë javës e kishin ndërprerë një zinxhir të trafikimit të njerëzve, në të cilin vajzat e reja ishin shitur për t'u prostituar.
Ata thanë se e parandaluan shitjen e 8 vajzave në Gjirin Persik, ndërsa më e moshuara ishte 17 vjeç.
Zëdhënësi i policisë Erkin Inkarov i tha radios "Evropa e Lirë" se rekrutuesit u kishin premtuar vajzave punë me paga të majme.
"Ata i mbanin tetë vajzat për shfrytëzim seksual. Nëse doni të punësoheni jashtë, mund t'ua plotësojmë dëshirën, u kishin thënë dhe menjëherë kishin filluar t'ua rregullojnë dokumentat e udhëtimit", pohon Inkarov.
Republikat e Azisë Qendrore janë burim dhe pikë tranziti për njerëzit, të cilët nga vendet tjera, trafikohen në rajon. Shumica e viktimave trafikohen në Rusi, në Gjirin Persik, në Turqi, në Azinë Lindore dhe në Evropë.
Çështja ka ngritur shqetësime sidomos në Taxhikistan, vend që ende përpiqet të marrë veten pas luftës civile 5-vjeçare, që la shumë njerëz të dëshpëruar në kërkim të një fati më të mirë.
Gulchera Mirzoeva është drejtuese e organizatës joqeveritare Modar (Nëna), që përqëndrohet në të drejtat e gruas. Ajo vëren se skllavëria e seksit githashtu i ka prekur edhe djemtë.
Në takimin e javës në Bangkok, zyrtarë nga Kombet e Bashkuara dhe 20 vende të Azisë Lindore dhe Paqësorit, pranuan se trafikimi i fëmijëve përkeqësohet, përkundër ndryshimit të ligjeve dhe politikave të qeverive.
Gopalan Balagopal, këshilltar i lartë i Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara tha.
"Po shohim se fëmijët vazhdojnë të eksploatohen seksualisht dhe vazhdojnë të trafikohen. Në internet ka materiale të shumta që drejtpërdrejt janë të lidhura me eksploatimin seksual të fëmijëve", thotë Balagopal.
Tajlanda një kohë të gjatë njihet për tregtinë e seksit. Ben Svasti, anëtar i Trafcord, një grupi që lufton trafikimin, thotë se kujtimet më të këqija të jetës i kanë mbetur nga koha kur gjendej në ballë të luftës kundër trafikimit të fëmijëve.
"Fëmija i ri fizikisht dhe mentalisht ende nuk është i gatshëm për seks. Ndërsa klientët zakonisht kanë shumë para, janë të paskrupullt, të dehur dhe brutalë. Kjo është përvoja më e shpeshtë nëpër të cilën kalon pothuajse çdo fëmijë", thotë Svasti.
Nga ana tjetër, besohet që biznesi nga trafikimi i fëmijëve, Tajlandës i sjell rreth 2.5 miliardë dollarë në vit.

XS
SM
MD
LG