Ndërlidhjet

F. MALOKU: POZITË-OPOZITË, SIGURON QEVERISJE SOLIDE


Fadil Maloku, Drejtor i Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, sot liderët e partive kryesore politike të Kosovës sërisht i kanë vazhduar bisedimet e tyre, në lidhje me formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Cili model mendoni se do të paraqitet në fund dhe cili është modeli më i përshtatshëm për Kosovën?

FADIL MALOKU
Shikuar nga aspekti i konkurencës politike, identifikimi i tanishëm i tre diskurseve të vjetra në skenën politike të Kosovës, plus konceptit të ri qytetar "Ora", pra katër koncepteve politike, që pak a shumë janë pasojë dhe rezultat do të thoja i një selektiviteti të çertifikuar nga verdikti shumë kontradiktor kosovar, është fuqizim i prejudikuar për një spektër të gjerë qeverisës në mandatin e ardhshëm. Edhe në zgjedhjet e sivjetme u dëshmuar se opinionin kosovar ende nuk ka arritur të bëjë dallimet cilësore përkitazi me programet dhe me refleksionet politike, të cilat iu afruan atij si qytetar, gurpacion apo komunitet lokal. Pra edhe kësaj radhe u dëshmua se atyre, edhe për këtë mandat, nuk i kanë interesuar në njëfarë mënyre ofertat e adresuara në drejtim të interesave të tyre, domethënë qytetare, por ju ka interesuar më tepër ekskluziviteti i interesit kombëtar. E veçanta, që edhe më tej do të thosha i bën të rëndësishme këto zgjedhje, është zhvillimi i tyre në qetësi si dhe çështja e identifikimit të fajtorit "kujdestar", për njëtrajtshmërinë e votimit për subjektet me të meta politike. Pra tani meqë ky kapitull është mbyllur dhe mendja e opinionit tonë është kryesisht e përqëndruar drejt koalicioneve të mundshme, është një dilemë e madhe se çfarë modeli duhet në këtë fazë të emancipimit politik të Kosovës; a duhet një model që në shtetet perëndimore ka traditë, domethënë modeli pozitë-opozitë, apo të vazhdohet me atë spektrin e gjerë qeverisës.

RADIO EVROPA E LIRË
Bazuar në kompleksivitetin e çështjes, cili është mendimi juaj, cili opsion prej këtyre që përmendët do të përqafohet?

FADIL MALOKU
Ne kemi disa modele. Modelet që Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike i Kosovës ka identifikuar janë modeli i koalicionit të interesave parciale domethënë modeli i koalicionit të panatyrshëm, si dhe koalicioni me përgjegjësi të gjerë. Unë mendoj se Kosovës momentalisht i duhet koalicioni me përgjegjësi të gjerë. Spektri i gjerë i këtij koalicioni do të mund të përfshinte ish partnerët e vjetër, domethënë LDK, PDK dhe AAK-në, plus eventualisht "Orën", si dhe grupime të tjera entike të komuniteteve. Në qoftë se më lejohet, unë do të elaboroja më shumë këtë model dhe do të thosha se përparësitë e këtij modeli janë se AAK-ja nuk do të ishte më në pozicion të shqyrtonte mundësinë e marrjes së postit të kryeministrit dhe të fuqizojë rolin e krijuesit të politikës kosovare. Për këtë vend padyshim do të luftonin pa kompromis me PDK-në. Pra duket se thelbi i spektrit të gjerë është se me këtë model faktikisht do të fitonte Kosova, kurse ne kosovarët, pra qytetarët e Kosovës do të ishim të privuar edhe më tej prej të drejtës së adresimit të interesave qytetare, grupore. Interesi qytetar tani do të bartej në një nivel tjetër, në një nivel të interesit kombëtar. Ky është thelbi. Një segment tjetër që unë mendoj se patjetër duhet theksuar është edhe segmenti i krijimit të sigurisë. Bashkësia ndërkombëtare, domethënë administrata e UNMIK-ut, është e interesuar të përfshijë të gjitha subjektet politikë kosovarë, në mënyrë që ta krijojë kushtimisht një siguri, një qetësi, që është shumë e rëndësishme në këtë fazë edhe mund të reflektohet edhe më gjërë, edhe në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa besoni se paralajmërimet që viti 2005 do të jetë fazë për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, është duke u reflektuar edhe në bisedimet mes partive politike, të cilat, një pjesë e madhe ende përqafojnë konceptin e bashkëqeverisjes?

FADIL MALOKU
Vetë fakti se të gjitha analizat flasin se Kosova vetë është një bombë e kurdisur, që ka probleme sociale, ka probleme politike, ka probleme të natyrës juridike, dëshmon se viti që po hyjmë ka pretendime dinamizimin në të gjitha fushat e në të gjitha lëmitë. Në këtë kontekst unë mendoj se marrja e përgjegjësisë nga të gjitha grupimet politike, nga të gjitha subjektet politike, do të krijojë mundësinë, do të krijojë atë rrafshin që të krijohet një stabilitet, një siguri më e madhe për vetë qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të kundërtën, nëse në Kosovë megjithatë do të instalohej një koalicion i ngushtë, cilat do të jenë përparësitë, respektivisht mangësitë e këtij opsioni?

FADIL MALOKU
Mangësitë do të thosha padyshim do të shpreheshin në dy partitë politike që kanë dalë prej luftës, pra përfundimisht do të bëhej shkurorëzimi ndërmjet Aleancës dhe PDK-së dhe do të bëhej një lidhje e panatyrshme, do të bëhej një pajtim historik mes AAK-së dhe LDK-së për shkak se diskursi që përfaqëson AAK-ja në fakt është një diskurs i luftës, ndërsa LDK-ja është një diskurs i paqes. Kjo do të ishte një përparësi në prezencën e pranisë ndërkombëtare të instalohej institucioni i pozitës dhe opozitës. Në këtë rafsh do të thosha se qytetarët e Kosovës do të fitonin sepse do të dinin t'i adresonin të drejtat e tyre dhe në anën tjetër pozicioni i opozitës PDK, Ora dhe spektri tjetër, domethënë partitë e vogla minoritare, do të krijonin mundësi dhe hapësirë më të madhe që të krijohej një qeverisje më solide.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG