Ndërlidhjet

VAZHDOJNË DEBATET PËR KRIJIMIN E QEVERISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimet e shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen me liderët e partive kryesore politike lidhur me formimin e institucioneve të reja, nuk e kanë qartësuar pozicionin e partive politike lidhur me formulën që do të zbatohet për ndërtimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera, por të gjithë thanë se institucionet duhen ndërtuar sa më shpejt.
Presidenti aktual i Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova, tha se me zotin Petersen kishin folur për çështje të ndryshme, përfshirë përpjekjet për ndërtimin e institucioneve të reja:
"Natyrisht edhe për mundësitë që sa më shpejt t’i bëjmë institucionet e Kosovës. LDK-ja së shpejti do të dalë me qëndrim rreth këtyre gjërave dhe do t’i bëjmë me kohë institucionet e Kosovës dhe pa vonesë".
Duke mos përcaktuar një kohë për marrjen e vendimi, dhe i pyetur nëse mbronte qëndrimin për formulën qeverisëse pozitë-opozitë, zoti Rugova u përgjigj:
"Ju lutem, me opozitën e të gjitha".
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se takimi kishte qenë për informimin e ndërsjellë ndërmjet tij dhe zotit Petersen:
"Kryeadministratori Petersen ka kërkuar një takim që të dëgjojë prej meje për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë në ndërtimin e institucioneve. I bëra një informim dhe mora pikëpamjet e zotit Petersen për angazhimet që na presin", tha Haradinaj duke mos dhënë detaje për modalitetet aktuale të negociatave për ndërtimin e qeverisë dhe institucione, ndërkohë që partia e tij e ka përcaktuar zotin Haradinaj si kandidatin e vetëm të pranueshëm për kryeministër të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, po ashtu kandidat për kryeministër nga partia e tij, tha se Kosovës i duhej bashkëqeverisja me bazë të gjerë:
"Kosovës i nevojiten institucione që garantojnë unitet integrim, bashkëpunim, që i garantojnë implementim të suksesshëm të standardeve, që i hapin rrugë të sigurt për zgjidhjen e drejtë të statusit politik dhe nga UNMIK-u ka mirëkuptim më të theksuar për ndërtimin e institucioneve me bazë të gjerë politike dhe përfaqësim shumetnik".
Ndërkaq, Veton Surroi, i cili vazhdon të mbështesë idenë e qeverisjes pozitë-opozitë, tha se politika e Kosovës po shënon një krizë të caktuar:
"Me sa shoh unë, ky është një process që me vetë faktin se po fillon në zyrën e kryeadministratorit, tregon për një stagnim të zhvillimit politik në Kosovë dhe me këtë tregon edhe një krizë latente dhe permanente ndërmjet partive në Kosovë."
Ndërkohë që bashkëbiseduesi i fundit i zotit Petersen, kryeministri Rexhepi, tha se nuk ishte i përfshirë në negociatat për qeverisjen e re, zoti Petersen paraprakisht ka takuar shefat e Quintit, që përbëhet nga shefat e zyrave të pesë vendeve më me ndikim në Kosovë. Shefi i zyrës italiane, Pascale Salzano tha se qeveria duhej ndërtuar sa më shpejt që të jetë e mundur:
"Ne shpresojmë se qeveria do të bëhet sa më shpejt, pasi kjo është në interesin e Kosovës. Standardet janë prioritet dhe neve na duhet një qeveri që do të jetë në gjendje të merret me standardet," tha Salzano, duke shpjeguar se me kryeadministratorin Petersen kishin biseduar edhe detaje të tjera lidhur me institucionet, duke ia bërë të ditur atij edhe pozicionin e pesëshes diplomatike për këtë çështje.



XS
SM
MD
LG