Ndërlidhjet

PAJAZITI: DO TË JETËSOHEN STANDARDET


Zenun Pajaziti, koordinator i qeverisë për standardet

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pajaziti, qeveria e Kosovës paralajmëroi javën e kaluar se këtë javë do të mblidhen sërisht grupet punuese për standardet. Cilat çështje vazhdojnë të shqyrtohen dhe sa tani është pengesë çështja e fundit e mandatit të kësaj qeverie, sa reflektohet kjo?

ZENUN PAJAZITI
Me thënë të drejtën faza e zgjedhjeve është shfaqur si pengesë në vazhdimësinë e punës së grupeve punuese për implementimin e standardeve. Ju e dini se kemi patur një dinamikë tjetër të takimeve të grupeve punuese. Fakti që ishin zgjedhjet dhe një muaj plot i ngarkuar me fushatë, si dhe pritja për formimin e institucioneve të reja ka sjellë një ngecje. Megjithatë ne kemi provuar dhe mendoj se në një masë të madhe kemi arritur që të riaktivizojmë këtë mekanizëm. Javën që shkoi kemi patur dy takime të përbashkëta; njërin me koordinatorët e grupeve, me koordinatorë vendorë dhe takimin tjetër e kemi patur të përbashkët me UNMIK-un, në të cilin mori pjesë edhe zëvendëskryeadministratori i Kosovës zoti Lari Rosin. Qëllimi pse u takuam bashkarisht është edhe për faktin se ju e dini që tani po jetësohet ideja e zgjedhjes së prioriteteve të standardeve, prandaj takimi i fundit ka qenë pikërisht për këtë qëllim.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vlerësimin paraprak të këtyre standardeve si qeveria dhe ju personalisht keni shprehur disa pakënaqësi me vlerësimet e bëra nga administrata e UNMIK-ut. Sa deri në vlerësimin që pritet, kanë arritur të identifikohen këto pakënaqësi në mënyrë që të mos përsëriten në vlerësimin që do të vijojë?

ZENUN PAJAZITI
Kryesisht janë dy elemente, të cilat na inkurajojnë në procesin e raportimit dhe të rishikimit të progresit. E para nuk do të ketë raportim për të gjithë planin e implementimit të standardeve, por do të ketë kryesisht për pikat të cilat do të nxirren si prioritete dhe e dyta si element po ashtu inkurajues është që ne jemi marrë vesh me UNMIK-un pas atij vlerësimit të parë tek ne, që ta ndërtojmë një model, një mekanizëm për raportim. Në këtë drejtim po punojmë bashkarisht dhe mendoj që raportimi do të jetë kryesisht teknik. Pra do të shkruhen ato që vërtet kryhen dhe nuk do të ketë vlerësime politike. Mendoj se sidomos me këtë elementin e parë që e thashë, me prioritizimin e standardeve do të lehtësohet puna jo vetëm për raportimin, por do të lehtësohet puna në përgjithësi për implementimin e standardeve, sepse ne do ta kemi më të lehtë që të fokusohemi në një pjesë të standardeve dhe pastaj në vazhdimësi do të mbulojmë edhe implementimin e standardeve të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni konkretisht i kënaqur, apo cili është vlerësimi juaj personal lidhur me prioritetet dhe veprimet konkrete që po ndërmerren në përmbushjen e standardeve të caktuara me prioritet apo fushave të standardeve të caktuara me prioritet?

ZENUN PAJAZITI
Me thënë të drejtën, me këtë ngecje prej fushatës zgjedhore, në pengesën që na është paraqitur në këtë drejtim, me vetë këtë fakt ne nuk mund të jemi të kënaqur në implementim, sepse kemi humbur një muaj kaq të vlefshëm, ndërkohë që kemi aq shumë punë për të bërë. Në këtë kohë mundemi të jemi të kënaqur vetëm me një fakt që është implementuar një pjesë e standardit të parë të institucioneve demokratike, që ka të bëjë me zgjedhjet. Pra janë kryer zgjedhjet dhe është përmbushur një standard. Mirëpo ka shumë punë edhe ne nuk kemi arritur në disa prej tyre as që t'i fillojmë dhe në fakt nuk mund të jemi të kënaqur, edhe pse në pjesën më të madhe të standardeve kemi progres, kemi angazhim të njerëzve, është një vullnet i mirë i institucioneve me këto kapacitete që janë. Ndërsa nëse pyetja drejtohet nëse jam i kënaqur prioritetin e privatizimit, këtu mund të them që ne po punojmë ende. Në fund të kësaj jave do të nxjerrim draftin përfundimtar të standardeve prioritet. Këto standarde nuk do të jenë veç e veç si standardi i parë, standardi i dytë të jetë prioritet, por nga të gjitha standardet po nxirren pikat e veçanta, nënstandarde dhe nga fundi i javës ne do të dalim bashkë me UNMIK-un. Dhe përsa e kam parë unë procesin deri tani, personalisht jam i kënaqur. Ne do ta kemi një dokument me disa pika të standardeve prioritete, për të cilat unë jam i mendimit se do t'i realizojmë me kohë dhe mendoj që institucionet e reja, qeveria e re duhet të fokusohet edhe më shumë në këtë drejtim, pa i harruar standardet e tjera. Mendoj që viti 2005 realisht, me nxjerrjen e këtyre prioriteteve, do të na gjejë me rezultate reale pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa besoni se këto rezultate pozitive do të jenë të mjaftueshme që të hapet edhe ajo që quhet kaptinë e fillimit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

ZENUN PAJAZITI
Unë mendoj që realisht ne po hyjmë në atë fazë. E para e punës, implementimi i standardeve po na detyron t'i sheshojmë edhe kompetencat e reja që na duhen. Ky është proces i brendshëm me UNMIK-un dhe ndërkohë pjekuria jonë për t'i realizuar këto standarde vetvetiu po na dërgon në fazën ku duhet të shohim çka më tutje me pozitën tonë, me statusin e Kosovës. Në tërësi është një proces pozitiv dhe jemi të sigurt se në disa prej fushave ne do t'i kalojmë edhe më herët këto provime t'i quajmë, këto standarde. Unë mendoj që viti 2005 me të drejtë është caktuar si vit në të cilin do të fillojë procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës. Jemi shumë të sigurtë që me një konsolidim edhe më të mirë të institucioneve në vitin 2005 do të jemi me rezultate konkrete dhe në njëfarë mënyre, nëse ne veç i plotësojmë këto, çka pas tyre? Pra vetëvetiu hapet çështja për të cilën ju pyesni.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG