Ndërlidhjet

PRISHTINË


Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar sot që të krijojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë. Sipas kësaj marrëveshjeje, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj nominohet për kryeministër të Kosovës, kurse LDK-ja propozon zëvendëskryeministrin. Në koalicion përfshihen dhe parti më të vogla siç është Partia Shqiptare Demokristiane dhe parti tjerë të pakicave jo serbe. Këtë vendim, e ka marrur sot kryesia e Lidhjes Demokratike pas një mbledhjeje të mbajtur, ka njoftuar zëdhënësi i saj, Lulëzim Zeneli:
"Kryesia e LDK-së në mbledhjen e vet të mbajtur sot, me qëllim të përshpejtimit të procesit të ndërtimit të institucioneve të reja demokratike të Kosovës, duke u mbështetur në rezultatin e zgjedhjeve të 23 tetortit 2004, dhe duke pasur parasysh gatishmërinë e subjekteve të tjera për koalicionin qeverisës me LDK-në, vendosi të bëjë koalicion me AAK-në, PSHDK-në dhe me subjektet e tjera politike të komuniteteve joserbe”.
Modalitetet e marrëveshjes kanë mbetur të shqyrtohen ditëve të ardhshme. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate me shkrim të kryetarit të saj Ramush Haradinajt e përshëndet këtë vendim të LDK-së. “Unë personalisht, ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, siç kemi vendosur në mbledhjen e kryesisë me kryetarë të degëve, e kemi mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të pranuar ofertën tonë për koalicion, së bashku me Partinë Shqiptare Demokristiane dhe partitë tjera të komuniteteve joserbe”, thuhet në deklaratën e z.Haradinaj. Ai është shprehur i bindur se ky vendim është arritur duke e pasur para së gjithash në mendje interesin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG