Ndërlidhjet

B. ZENELI:"KONCEPTI I UDHËHEQJES SË PËRGJEGJSHME ME OPOZITË TË PËRGJEGJSHME"


Bernard ZENELI, anlalist nga Prishtina


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, si e vlerësoni marrëveshjen për koalicion qeveritar ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës?

BERNARD ZENELI
Është ende herët për të hyrë në hollësitë e këtij proçesi ose të kësaj marrëveshjeje, sepse ende nuk i dimë modalitetet me të cilat këto dy parti janë marrë vesh me njëra tjetrën, por duket që me këtë lloj koalicioni Kosova e ka zgjedhur konceptin e një udhëheqjeje të përgjegjshme e cila kërkon kritikë nga një opozitë e përgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojë arritja, relativisht e shpejtë, e marrëveshjes për ndërtimin e qeverisë në proçeset e ardhshme, pasi që kjo ishte edhe një nga kërkesat e faktorit ndërkombëtarë?

BERNARD ZENELI
Unë kam përshtypjen që edhe pse do të kemi një situatë ose një model, në të cilin do të operohet me pozitë dhe opozitë, për sa i takon qështjes së bisedimeve ose çështjeve që kanë të bëjnë me një përgjegjësi, e cila i takon gjithë Kosovës, do të ketë një lloj marrëveshje që do e kalojë këtë konceptin pozitë-opozitë. Pra, pa marrë parasyshë se kush do të jetë në qeverisje, pa marrë parasyshë formulat që këta do të përdorin për zgjedhjen e personave që do të hyjnë në qeveri, kur do vijë puna për bashkëbisedim, besoj që Kosova do të jetë në gjendje të paraqitet me një zë unik, pa marrë parasyshë pozitën ose opozitën.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, si do të ndikojë raporti pozitë dhe opozitë në zhvillimet e përgjithshme në Kosovë?

BERNARD ZENELI
Të them të drejtën, jam pak skeptik. Nga disa vlerësime, unë do të thoja që është ndoshta ende herët që të flasim për një pozitë dhe opozitë reale, sepse nuk ma merrë mendja që në tri vitet e fundit, që është punuar me qeveri, ka pasur mundësi që të mësohen këto pozicione, por nga ana tjetar duhet theksuar që noti mësohet vetëm kur je në ujë dhe në këtë rast besoj që logjika në këtë vendim ka qenë që proçesi i qeverisjes bëhet më efektiv kur ke një shtytje, kur ke një opozitë të përgjegjshme. Ndoshta në këtë aspekt, të parjes të bërjes së politikave, proçesit të dhënjes së një “in-put”- i ose të një vlerësimi kritik për këto politka që bëhen për Kosovën, nga një forcë e rëndësishme siç është PDK-ja, do të rrisë cilësinë, jo vetëm të vendimeve që do të dalin nga parlamenti, por në të njëjtën kohë do të rrisë edhe përgjegjësinë me të cilën operon kjo qeveri, gjithmonë duke pasur parasyshë që kjo do të jetë formula me të cilën do të punohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zeneli, partitë të cilat duket se do të mbeten në opozitë janë shprehur skeptike lidhur me qëndryeshmërinë e kësaj qeverie përballë sfidave të mëdha që e presin Kosovën vitin e ardhshëm. Cili është mendimi i juaj?

BERNARD ZENELI
Në fakt, mua më duket, pak e vështirë situate për sa i takon komunitetit serb, i cili nuk është përfshirë. Duhet të kemi parasyshë që faktori ndërkombëtarë i ka vënë një theks shumë të rëndësishëm përfshirjes së komunitetit serb në të gjitha proçeset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ky mund të jetë një faktor destabilizues për këtë lloj koalicioni. Nga ana tjetër, unë shikoj, me partinë kryesore të opozitës, në qoftë se mbetet ky koncept me PDK-në, ndoshta një mundësi që kjo forcë politike të rritet akoma më tej brenda saj. Por, kuptohet që një pjesë e mirë e popullsisë, një pjesë e mirë e votuesve do të ndjehen të zhgënjyer, sepse flitet që diku 28 për qind e votuesve kanë shpresuar, kanë pretenduar që ata do të jenë të përfaqësuar siç ishte edhe në modelin e kaluar. Këtu në këtë moment besoj që është një moment, i cili me gjithë mend e vlerëson maturinë politike të forcave politike të Kosovës se sa do të jenë ato të afta të pranojnë këto pozicione të reja dhe jo vetëm të pranojnë, por sa do të jenë në gjendje të punojnë me ndikimin ndërkombëtar mbi krye dhe me ndikimin e kësaj force shtytëse dhe frenuese, pozitë-opozitë. Në qoftë se deri më tash sfida ka qenë si do të punohet duke pasur një diktat ndërkombëtarë, sfida për qeverinë aktuale dyfishohet. Ke diktatin ndërkombëtarë në njërën anë dhe presionin që të bën opozita në anën tjetër. Kemi dyfish sfidë. Ndoshta kjo mund të jetë një formulë e cila mund t’ia rritë efektivitetin qeverisë, por nga ana tjetër, duke pasur parasyshë që këto tri vitet e fundit nuk kanë shërbyer për të mësuar proçesin e qeverisjes, unë kam një lloj frike. Nga ana tjetër noti mësohet kur je në ujë. Ky është një moment i sfidës dhe një moment i së vërtetës për politikanë kosovarë. Nuk duhet të përfundojë ky diskutim me këtë që, “o bobo - dolën në pozitë” ose “o bobo - dolëm në opozitë”. Qëllimi final është arritja e statusit. Në qoftë se të gjithë partitë politike të Kosovës kanë këtë parasyshë, ma merrë mendja që të gjitha sfidat tejkalohen.

Intervistoi: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG