Ndërlidhjet

logo-print

MOORE: KOMUNIZMI KA RËNË, KANË MBETUR 'MURET NË KOKË'


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë në disa vende po shënohet 15 – vjetori i rënjes së komunizmit. Si e vlerësoni këtë periudhë?

PATRICK MOORE
Në vitin 1989 ne të gjithë ishim përfshirë nga një eufori e madhe që nuk kishte lejuar një analizë më kritike të zhvillimeve. Të gjithë ishim të bindur se sistemi komunist ishte aq i panatyrshëm, se mbahej në jetë me forcën e ushtrisë sovjetike, UDB-së ose shërbimeve tjera dhe se krejt çfarë duhej bërë ishte ta heqësh qafe dhe pastaj rendi normal i gjërave do të jetësohet në një afat të shkurtët. Ne tash e shohim se ky ishte një vlerësim i ngutshëm dhe se vënja e gjërave në rendin e tyre të natyrshëm ishte një punë pak më e ndërlikuar. Faza e tranzicionit u tregua më e vështirë se që ne e kishim imagjinuar. Dy arsye kanë kushtëzuar këtë. E para është strukturale – disa struktura ende janë në po ato pozicione që ishin edhe më parë gjatë komunizmit. Pra të njejtit njerëz që i kanë shërbyer komunizmit tash vetëm kanë ndërruar partitë dhe sërish gjenden në të njejtat pozicione. Aspekti tjetër ka të bëjë me privatizimin. Nga ky proces janë duke përfituar vetëm njerëzit që janë në pushtet dhe shembulli më tipik i këtij fenomeni mund të gjendet në Rusi. Atje nga privatizimi kanë përfituar vetëm njerëzit nga ish nomenklatura komuniste. Çështja tjetër ka të bëjë me aspektin psikologjik që në ish – Gjermaninë Lindore e quajnë "Muri brenda kokës". Kemi të bëjmë me faktin që disa njerëz në ish vendet komuniste ende presin që shteti të bëjë diç për ta dhe këta nuk janë shumë të lumtur që vetë duhet të marrin vendime dhe përgjegjësinë për jetën e tyre. Ky është një problem shtesë që e hasim në këtë fazë të tranzicionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dias analistë thonë se hulumtimi i trashëgëmisë së komunizmit duhet bërë me çdo kusht për të mos lejuar sërish rikthimin e logjikave totalitare?

PATRICK MOORE
Po dhe kisha për të thënë se kjo ka të bëjë me të gjitha sistemet totalitare, pra çoftë ato komuniste ose ato – nazifashiste, sepse edhe Gjermania naziste kishte treguar shumë ngjashmëri me sistemet komuniste. Të gjitha sistemet totalitare kanë të njejtin qëndrim ndaj lirisë dhe individit. Regjimet totalitare, dhe edhe ato autoritare, kanë karakteristikë faktin që marrin vendime për ju duke iu privuar nga e drejta që ju të jeni përgjegjës për vendimet e juaja. Në shoqëritë e lira në këtë aspekt jeta mbase mund të jetë më komplekse, sepse ju duhet të merrni vendimet për veten.

RADIO EVROPA E LIRË
Në hapësirën e ish – Jugosllavisë rënja e komunizmit u shoqërua me konflikte, luftra... Pse ndodhi kështu?

PATRICK MOORE
Ne mund të flasim për rënjen e komunizmit në Slloveni dhe Kroaci, por nuk kishte rënë edhe diktatura në Serbi. Dhe këtu ka ka qëndruar i tërë problemi. Nga Serbia doli një regjim fashisto – mafioz me idologji nacionaliste që derdhi helm në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Lidershipi fashist serb me paramilitarët mafioz arriti të shfrytëzoj ish – ushtrinë jugosllave kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe më vonë edhe kundër Kosovës. Ndërkaq, sa i përket komunizmit jugosllav ai ishte pak më i butë se ai në ish – Bashkimin Sovjetik, në Shqipërinë e Enver Hogjës ose në Kinën e Mao Ce Tunit. Nuk duhet harruar se qeveritë perendimore, me ose pa të drejtë, e konsideronin Titon aleat strategjik kundër Bashkimit Sovjetik. Rrjedhimisht, ato e kishin lënë këtë diktaturë të paprekur. Më kujtohet se në vitet e 70 – ta dhe të 80 – ta kur ne nga Radio Evropa e Lirë dëshironim të fillonim programet tona edhe për ish Jugosllavinë nuk na lejuan, sepse autoritetet e atëhershme perendimore, duke përfshirë edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk dëshironin të bëhej asgjë që do të destabilizonte komunizmin në ish - Jugosllavi. Pra, ndihma (për rrënimin e komunizmit) siç ishte rasti me Poloninë dhe disa vende tjera nuk i ishte ofruar edhe ish – Jugosllavisë. Mbase këtu duhet kërkuar edhe njërin nga shkaqet për dhunën që ne e pamë në ish – Jugosllavi.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG