Ndërlidhjet

J. KRASNIQI:"BASHKËQEVERISJA DO TË RELAKSONTE MARRËDHËNIET NDËRNJERZORE DHE NDËRETNIKE NË KOSOVË"


Jakup KRASNIQI, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, janë bërë publike modalitetet e koalicionit të ri qeveritar mes Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Koalicionet nga më të ndryshmet si rezultat i zgjedhjeve bëhen gjithkund, në çdo vend. Ku janë rrënjët e kundërshtimeve ndaj këtij koalicioni?

JAKUP KRASNIQI
Partia Demokratike e Kosovës duke e parë situatën politike, ekonomike, situatën e sigurisë dhe shumë çështje të tjera në Kosovë, mendon se këto e kanë shtruar domosdoshmërinë që edhe kësaj radhe të jetë një qeveri e koalicionit të gjerë për shumë arsye. Dhe njëra nga këto arsye është se Kosova nuk ka shumë kohë që ka dalë nga një luftë e egër dhe mjaft shkatërrimtare, që ka çrregulluar raportet ndërnjerëzore dhe ndëretnike në Kosovë. Një bashkëqeverisje sa më e gjerë do të relaksonte marrëdhëniet qytetare në Kosovë, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike. Në këtë mënyrë Kosova do të bëhej një vend më stabël dhe më i pranueshëm edhe për qytetarët e Kosovës, edhe për opinionin ndërkombëtar ose opinionin demokratik.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, do të qëndroja pikërisht tek këto të fundit. Ka analistë që thonë se koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës mund të tensionojë situatën, ashtu si ka të tjerë që thonë se i afron dy krahët politikë në Kosovë, duke mundësuar bashkimin e dy grupeve të ndryshme politike në Kosovë. Çfarë do të thoshit ju për këtë? Pse nuk mund të shihet nga ky drejtim?

JAKUP KRASNIQI
Nuk mund të shihet nga ky drejtim për faktin se në vitin 2001, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë dhënë pëlqimin për Kornizën Kushtetuese dhe në atë drejtim nuk kanë bërë dallime mes njëri tjetrit. Kështu pastaj më vonë të dy shpesh herë kanë punuar edhe kundër kësaj Kornize që e kanë aprovuar vetë. Shikuar në këtë plan nuk mund të thuhet se ky koalicion është koalicion i dy krahëve politikë, për faktin se kanë qenë në aleancë të ngushtë gjatë këtyre viteve. Mendoj që Kosovës nuk i është dashur vetëm një pajtim mes dy krahëve politikë, por Kosovës i është dashur një pajtim shumë më i gjerë politik dhe etnik në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, duke mbetur tek ky pajtim. Kosova gjatë viteve të kaluara ka patur bashkëqeverisje të gjerë, e cila është kritikuar shpesh herë nga të gjitha krahët për mosefikasitet. A mendoni se do duhej të vazhdohej në këtë drejtim?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë se mosefikasiteti i qeverisë së Kosovës nuk ka qenë tek koalicioni i gjerë, por para së gjithash ka qenë tek Korniza Kushtetuese, tek mungesa e kompetencave të këtyre institucioneve, në mënyrë të veçantë e qeverisë. Kam qenë një nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe mund të them që me mundësitë dhe kompetencat që ka patur Qeveria e Kosovës, në shumë drejtime ka suksese, por mos- sukseset shihen më tepër në ato segmente që kanë qenë të rezervuara për UNMIK-un dhe shtyllat e tij, sepse në fund të fundit si zhvillimi ekonomik, si siguria, si sistemi i drejtësisë kanë qenë segmente të rezervuara për UNMIK-un dhe mundësitë e qeverisë për të bërë ndryshime në këto plane kanë qenë kurrëfare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju zoti Krasniqi keni deklaruar së fundi se Kosova është peng i liderëve të shantazhuar, duke theksuar se Rugova është i shantazhuar nga Beogradi, ndërsa Haradinaj nga Haga. Haradinaj nga ana tjetër ka deklaruar të mbyllur bashkëpunimin me Hagën dhe kjo e fundit nuk i ka hedhur poshtë deklaratat e tij. Cili është komenti juaj në këtë rast?

JAKUP KRASNIQI
Unë në radhë të parë kam patur parasysh se ky koalicion është bërë mes dy liderëve mjaft kontraversë në skenën politike të Kosovës, dy liderëve që në një formë ose një tjetër, janë të njohur si persona që nuk kanë gjuhë të mirë të komunikimit dhe kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten dy liderë që kanë përçarë skenën politike në Kosovë. Kur kam thënë për Hagën, unë kam menduar dhe mendoj që Tribunali i Hagës nuk ka argumente dhe nuk ka dëshmi për ta shtrirë hulumtimin e vet mbi pjesëtarët e ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjitha ndjekjet që bëhen mbi këta pjesëtarë janë të motivuara politikisht dhe të nxitura nga UDB-ja dhe dëshmitarë të rrejshëm. Por unë kam menduar megjithatë, megjithë këto vështirësi që janë krijuar, se njerëzit që mund të shantazhohen qoftë nga Beogradi, qoftë nga Haga, qoftë nga kushdo tjetër, mund të marrin veprime të dëmshme për proceset politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jakupi ju sërisht përsëritët që Partia Demokratike e Kosovës ka menduar për një bashkëqeverisje të gjerë, ndërkohë që bashkëqeverisja do të bëhej njëkohësisht me partitë që aktualisht do të futen në qeveri. A shihni ndonjë kundërshtim në këtë qëndrim?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë që Partia Demokratike në qëndrimet e saj, që i ka në kontinuitet si në zgjedhjet e kaluara ashtu dhe në këto zgjedhje nuk ka kontradikta. Partia Demokratike dëshiron që institucionet në Kosovë vërtet të jenë institucione që përfaqësojnë gjithë spektrin politik në Kosovë, bile edhe spektrin etnik dhe derisa institucionet e Kosovës janë të kufizuara në kompetencat e tyre, derisa institucionet e Kosovës kanë për opozitë edhe administratën e UNMIK-ut, (pastaj ju e dini që qeveria e Kosovës ka opozitë edhe AKM-në) në një formë ose një tjetër opozitë brenda opozitës Kosovës nuk i duhet dhe kjo nuk u ndihmon proceseve politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, a mendoni se ka rrezik që sindromi i grindjeve të vazhdueshme mes forcave politike, siç ndodh në disa vende fqinje me Kosovën të përfshijë edhe vetë Kosovën?

JAKUP KRASNIQI
Sindromi i grindjeve politike ndoshta është jo vetëm në vendet e Ballkanit apo të rajonit tonë, por është një sindrom që i ka përcjellë të gjitha partitë politike që janë në tranzicion. Ndoshta tranzicioni në Kosovë ka vështirësitë e veta dhe natyrisht ka rrezik që ndoshta jo me fajin e opozitës, por me fajin e pozitës, vërtet të jetë edhe në skenën kosovare në vitet e ardhshme.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG