Ndërlidhjet

logo-print

LIROHET SHQIPE HEBIBI DHE DY KOLEGËT E SAJ TË RRËMBYER NË AFGANISTAN


Ministri i Brendshëm afgan Ali Ahmad Jalali, tha se rrëmbyesit kishin "braktisur" punëtorët e OKB-së duke i lënë ata në një vend të panjohur në Kabul, nga ku edhe janë gjetur para agimit të së martës:
" Jemi të kënaqur të njoftojmë se punëtorët e OKB-së të marrë peng 27 ditë më parë janë liruar dhe janë në një vend të sigurt. Rezultatet paraprake mjekësore tregojnë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore", ka thënë Jalali.
Zëdhënësi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan Manoel Almeida de Silva, ka thënë se sot stafi i OKB-së në tërë Afganistanin është "shumë i lumtur".
Ai po ashtu pohoi se tre pengjet pritet që të largohen nga Afganistani sapo të përfundojnë ekzaminimet mjekësore në bazën ushtarake të NATO-së.
Vëllai i Shqipe Hebibit, Naim Hebibi i tha Radios Evropa e Lirë se përveç lirimit nuk kanë informacione të tjera për Shqipen:
"Tani për tani nuk kam asnjë informatë se ku do të jetë Shqipja apo diçka të ngjashme. Vetëm di se sot në mëngjes në orën 4.30 më kanë lajmëruar se ajo është e lirë".
Kryeministri Bajram Rexhepi në emër të qeverisë ka përshëndetur lirimin e pengjeve duke falenderuar siç ka thënë të gjithë "njerëzit e vullnetit të mirë që ndihmuan në lirimin e Shqipe Hebibit dhe kolegëve të saj. "I uroj të gjithëve kthim të shpejtë në familjet e tyre dhe rehabilitim nga pasojat e ditëve të kaluara", thuhet në deklaratën e kryeministrit Rexhepi.
Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kabul, Zalmay Khalilzad duke e përshëndetur lirimin e pengjeve e quajti këtë akt si një "mundje të madhe të terroristëve që dëshironin ta eksportonin stilin irakian të rrëmbimit të pengjeve edhe në Afganistan".
Grupi Ushtria Myslimane mori përgjegjësinë për rrëmbimin. Lideri i këtij grupi Akbar Agha kërcënoi më përpara se do t'i vrisnin pengjet nëse qeveria afgane nuk i liron të burgosurit talibanë.
Të martën Agha, u tha reporterëve përmes telefonit se grupi i tij ka liruar pengjet në këmbim të lirimit të 24 të burgosurve talibanë. Por, ministri Jalali ka mohuar çfarëdo lloj marrëveshje të bërë me rrëmbyesit.
"Pengjet janë liruar pa dhënë para dhe pa marrëveshje speciale. Ne kurrë nuk i pranuam kërkesat e rrëmbyesve. Kurrë nuk kemi dhënë para, e as nuk i kemi liruar të burgosurit në këmbim. Qeveria e Afganistanit dhe komuniteti ndërkombëtar nuk u luhat nga qëndrimi për të mos u marrë me terroristët", tha Jalali.
Ai po ashtu tha se edhe më tej po hetohet nëse grupi Ushtria Myslimane ka qenë i përfshirë direkt në rrëmbimin, apo vetëm ka dëshiruar që të marrë përgjegjësinë për të tërhequr vërejtjen ndërkombëtare:
"Ushtria Myslimane ka pranuar hapur se i ka rrëmbyer tre punëtorët e OKB-së. Megjithatë, është e mundur, që ky grup ka punësuar kriminelë ose është munduar që t'i marrë të rrëmbyerit nga ata dhe të vërë kontroll mbi ta. Nuk mund ta përjashtoj përfshirjen e Ushtrisë Myslimane. Por, të gjithë ata që janë përfshirë direkt ose indirekt në rrëmbim janë kriminelë dhe duhet të përballen me drejtësinë", tha Jalali.
Punëtorët e OKB-së u rrëmbyen nga vetura e tyre në Kabul, afër zyrës së tyre më 28 tetor. Ata po ndihmonin në procesin e zgjedhjeve presidenciale të Afganistanit.
Shtetet e Bashkuara patën paralajmërur qeverinë afgane që të mos negociojë me rrëmbyesit, duke thënë se një lëvizje e tillë do inkurajonte rrëmbime tjera.
Të hënën trupat amerikane dhe afgane bastisën disa shtëpi dhe arrestuan 12 persona, përfshirë edhe një mjek që punonte për misionin e OKB-së. Nuk është e qartë nëse këto bastisje rezultuan me ndonjë informatë që ndihmoi në shpëtimin e pengjeve.

XS
SM
MD
LG