Ndërlidhjet

PROKURORIA PARALAJMËRON DËSHMITARË TË MBROJTUR NË PROCESIN NDAJ 3 ISH-PJESËTARËVE TË UÇK-së


Augustin Palokaj, Hagë

Tribunali i Hagës ka përkujtuar sot mediat përmes një komunikate për shtyp, për detyrimet që kanë për respektimin e rregullave të Tribunalit gjatë raportimit të tyre. Tribunali i Hagës kështu ka paralajmëruar se në gjykimin e tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Fatmir Limajt, Isak Musliut dhe Haradin Balajt, që është në vazhdim e sipër, një numër i dëshmitarëve që do të pasojnë, do të dëshmojnë në masa mbrojtëse, pra identiteti i tyre do të fshihet dhe disa do të dëshmojnë me pseudonime. Në fakt për dëshmitarët e tillë, për të cilët gjykata do të lejojë masat mbrojtëse për shkaqe sigurie, do të jetë i njohur për të akuzuarit dhe avokatët në sallë, po jo dhe për opinionin që përcjell gjykimin. Për këtë arsye janë përkujtuar edhe njëherë gazetarët se nuk guxojnë të transmetojnë apo publikojnë të dhëna që mund të nxjerrin në publik identitetin e dëshmitarëve të tillë. Kjo deklaratë e Tribunalit të Hagës është vlerësuar sot, për shkak se së shpejti në këtë gjykim priten të paraqiten dhe dëshmitarët e parë okularë nga territori i ish-Jugosllavisë. Ndërkohë po sot në Tribunalin e Hagës ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Në këtë fazë kur nxirren dëshmitë nga pala mbrojtëse, domethënë nga vetë Millosheviçi, sot ka dëshmuar gjenerali rus Leonid Ivashov, ish-shef për marrëdhënie me jashtë në Ushtrinë ruse. Ai duke u bazuar në disa burime konfidenciale ka thënë se sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë së atëhershme ishin pregatitur që më parë dhe se sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në NATO nuk donin të pranonin një propozim të Rusisë, që së bashku me ushtrinë serbe të organizojnë operacione të përbashkëta, për të qërruar hesapet me, siç thoshte ai, terroristët e UÇK-së. Përfaqësuesit e prokurorisë kundërshtuan dëshminë e këtij dëshmitari, duke thënë se ai po u referohet disa dokumenteve sekrete, të cilat prokuroria nuk ka patur rast t'i shohë. Ivashov po ashtu tha se që në shkurt të vitit 1999, shefi i misionit verifikues të OSBE-së William Wolker i kishte thënë që serbët nuk kanë çfarë të kërkojnë në Kosovë dhe se në pranverë të atij viti do të pasonte operacioni i NATO-s. Po ashtu tha ai ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Ollbrajt, i kishte premtuar ish liderit të atëhershëm të UÇK-së Hashim Thaçit, se do t'i lejohej Kosovës mbajtja e një referendumi për statusin e saj, nëse Thaçi e pranon marrëveshjen e Rambujesë. Pritet që pas disa ditëve në mesin e një numri të madh të dëshmitarëve rusë, në favor të Sllobodan Millosheviçit, të dëshmojë edhe ish kryeministri i Rusisë Jevgeni Primakov.


XS
SM
MD
LG