Ndërlidhjet

logo-print

SITUATA E PËRGJITHSHME E SIGURISË NË KOSOVË E QETË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Situata e përgjithshme e sigurisë në Ksoovë është e qetë dhe këtë nuk mund ta rrezikojnë incidentet e izoluara të qërimit të hesapeve ndërmjet grupeve të ndryshme, kanë thënë zyrtarë të KFOR-it, policisë ndërkombëtare dhe Shërbimit Policor të Kosovë.
Zëdhënësi i forcës paqëruajtëse të NATO-s, Iv Kermorvant tha se KFOR-i e vlerëson të qetë situatën e sigurisë dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çfarëdo situate, duke pasur 18 000 ushtarë me të cilët mund ta mbajë situatën nën kontroll, pavarësisht incidenteve të bandave të vogla kriminale:
"Nuk besojmë se kjo mund të ndikojë në situatën e sigurisë. Ka ngjarje të tilla që ndodhin në secilin vend. Unë jam nga Franca dhe edhe atje ka djem të këqij," tha Kermorvant, sipas të cilit Kosova në të kaluarën ishte plot me armë, të cilat KFOR-i i konfiskon përditë dhe kjo duhet të vazhdojë, tha Kermorvant.
"Mendoj se njerëzit janë të frikësuar. Këtu qarkullojnë shumë thashetheme, prandaj nëse kanë armë njerëzit i mbajnë nga frika, ndërsa pikërisht të frikësuarit mund të bëjnë gjithçka nga frika," tha Kermorvant. Megjithatë, ai mendon se situata politika nuk është shkaku që i shtyn njerëzit të mbajnë armë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, kolonel Refki Morina, mendon se arsyet për luftime në rrugë çfarë janë parë në Kosovë para pak javësh, e që kanë përfunduar me së paku një të vrarë dhe disa të plagosur, janë të natyrave të ndryshme:
"Të shumtën e rasteve janë ngatërresat e natyrës pronësore-juridike, meqenëse jemi në fazën e parë të zhvillimit të sistemit kapitalist, ku kemi të bëjmë me konkurrencën në treg dhe pastaj edhe me xhelozinë e një ndërmarrjeje ndaj ndërmarrjes tjetër dhe format e tjera të mentalitetit në tërësi në Kosovë".
Sidoqoftë, tha kolonel Morina, për të gjitha rastet që kanë ndodhur kohët e fundit policia ka persona të dyshimtë, disa prej të cilëve janë arrestuar dhe po zhvillohen procedurat përkatëse. Zëdhënësi Morina e sheh armëmbajtjen si të rrezikshme, por jo si shkakun kryesor për incidente që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve:
"Mbajtja ilegale e armëve ka mbetur në Kosovë si relikt i regjimeve të mëparshme, pasi kemi qenë në forma të ndryshme të sundimit të shteteve të ndryshme përreth dhe në mentalitetin e kosovarëve ka qenë se mbajtja e armëve është një lloj sigurie".
Mirëpo, tha zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Refki Morina, mbajtja e armëve është e rrezikshme, jo vetëm për rrethin njerëzor, por edhe për vetë personin që e mban atë armë.
Me faktin qe situata e sigurisë nuk rrezikohet nga incidentet si ato të fundit, pajtohet edhe zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut, Daniel Agob:
"Këto janë raste tipike të izoluara që kanë të bëjnë me disa persona që dihet se kanë probleme me të tjerët," tha Agob, sipas të cilit këto incidente nuk guxojnë të përgjithësohen në kuptim të vlerësimit të situatës së sigurisë. Ai tha se policia nuk mund të parandalojë akte të tilla, pasi shumë herë njerëzit në një moment të caktuar vendosin të reagojnë në atë mënyrë dhe nuk ka shenja që do të na bënin me dije se mund të ndodhë diçka e keqe.


XS
SM
MD
LG