Ndërlidhjet

KIEV


Përkrahësit e kandidatit opozitar presidencial, Viktor Jushçenko, edhe sot, për të pestën ditë me radhë, në protestat e tyre po kërkojnë anulimin e qëndrimit të qeverisë aktuale të Ukrainës, që kandidati që mbështetet nga Rusia, Viktor Janukoviq të shpallet fitues i zgjedhjeve. Në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes eventuale për këtë krizë, sot presidenti aktual, Leonid Kuçma tashmë është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana dhe me presidentin e Polonisë, Aleksandar Kvashnjevski. Me të arritur në aeroportin e Kievit, zoti Solana deklaroi:
- Ne jemi të shqetësuar lidhur me procesin zgjedhor. Ne nuk mendojmë se procesi është realizuar në mënyrë adekuate, por ne dëshirojmë të shohim se a mund të përmirësohet kjo gjë dhe do të dëshironin që të ripërtrihet uniteti i këtij vendi.

Nga Kievi raportohet se për nesër është paraparë mbajtja e sesionit të jashtëzakonshëm të Kuvendit. Një zëdhënës ka thënë se do të diskutohen dëmtimet nga protestat e përditshme masive dhe vendimi i Gjyqit suprem që rezultatet e shpallura të zgjedhjeve të mos cilësohen si zyrtare deri sa të shqyrtohet ankesa e opozitës.
XS
SM
MD
LG