Ndërlidhjet

3 DHJETOR DATA E MBLEDHJES SË KUVENDIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Seanca e parë e parlamentit të ri të Kosovës, është paralajmëruar për datën 3 dhjetor, datë kjo që ndërlidhet dhe me kthimin e shefit të UNMIK-ut nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork. Në këtë seancë, është paralajmëruar të votohet në pako dhe marrëveshja për qeverinë e re të Kosovës, kurse nuk është definitive, nëse aty do të votohet edhe për presidentin e Kosovës. Këshilltari politik i kryeparlamentarit aktual të Kosovës Nexhat Daci, zoti Ramush Tahiri, thotë se ka bazë ligjore që marrëveshja e arritur të votohet në parlament nga ana e partive partnere në qeverinë e re:
“Qeveria do të jetë në pako. Ka dilema se si do të jetë mandati i kryetarit, për atë arsye se Korniza Kushtetuese shkruan qartë se mandate i tij është tre vjeçar nga dita e zgjedhjes dhe kjo do të jetë në mars. Ndërsa për qeverinë nuk shkruan një gjë të tillë por për qeverinë është e paraparë që i pushon mandati kur të zgjidhet qeveria e re. Të gjitha kushtet janë që qeveria e re do të zgjidhet në këtë seancë plenare, ndërsa me Zyrën e Presidentit dhe UNMIK-un do të përcaktohemi se cila do të jetë zgjidhja për kryetarin e Kosovës. Pra është e mundur që kryetari të mos zgjidhet në këtë seancë, por të zgjidhet në mars”, tha Tahiri.
Procedurat e votimit për organet e reja të Kosovës, theksoi Tahiri, janë duke u koordinuar me zyrën ligjore të UNMIK-ut dhe me OSBE-në. Sipas tij, fakti se Korniza Kushtetuese parasheh që presidenti i Kosovës është ai që propozon mandatarin e qeverisë, nuk do të jetë pengesë edhe në këtë rast për zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re edhe nëse nuk do të votohet për presidentin. Tahiri thotë se presidenti aktual ka mandat tre vjeçar dhe bazuar në këtë fakt, ai ka legjitimitet që ta propozojë mandatarin e qeverisë, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për presidentin që është zgjedhur nga zgjedhjet e kaluara, kurse këtu bëhet fjalë për organet që do të dalin nga zgjedhjet e mbajtura sivjet:
“Nuk e pengon, sepse thuhet që mandatarin e propozon kryetari dhe kryetari është legjitim deri në mars, ndërsa mandatari e propozon kabinetin e tij dhe zgjidhet. Në Kornizë kjo është e paraparë që nëse nuk ka vota të mjaftueshme qeveria, atëherë kjo mund të përsëritet pas dhjetë ditësh“, tha Tahiri.
Ndërsa procedurat e zgjedhjes së organeve të reja të Kosovës ende janë në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimeve dhe se asgjë nuk është ende definitive, bazuar në aktet kushtetuese, zgjedhjet prodhojnë efekte të atilla që Kosova t’i ketë të gjitha institucionet e saj të zgjedhura. Fillimi i seancës parashihet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, akademiku Mark Krasniqi, dhe më pas do të zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit. Më pas, mbetet të sqarohet se si do të rrjedh votimi, për marrëveshjen në pako për qeverinë e re, që do ta propozonte presidenti aktual i Kosovës, apo procedura do të rrjedh duke votuar së pari për presidentin e më pas ai të propozojë mandatarin e qeverisë. Sidoqoftë, një ndihmesë në interpretimin e procedurave, pritet ta japë dhe zyra ligjore e UNMIK-ut, e cila sipas zyrtarëve të administratës ndërkombëtare është ende duke pritur së pari propozimin final nga Kuvendi i Kosovës se si do të shkohet me procedura, para se të japë mendimin e vet.


XS
SM
MD
LG