Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME LIDHUR ME ARRITJET RRETH KTHIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndërkohë që serbët e Kosovës janë të pakënaqur me arritjet e deritanishme në procesin e kthimit dhe për këtë fajësojnë liderët shqiptarë dhe UNMIK-un, zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se tashmë është ndërtuar një klimë e përshtatshme, e domosdoshme për realizimin e kthimit.
Zenun Pajaziti koordinator i qeverisë së Kosovës për standardet tha se standardet janë në përmbushje e sipër, ndërsa e rëndësishmja sipas tij është se po përmbushet infrastruktura institucionale për ta çuar këtë proces përpara. Ai mendon se nëse institucionet do të përqendrohen vetëm në kthimin do të mbeten keq fushat e tjera:
"Standardet në përgjithësi janë një rrjet i detyrave që duhet të kryhen paralelisht, për të mundësuar kthimin e të gjithë atyre që duan të kthehen dhe që kanë pronat e tyre këtu. Ne e kemi krijuar klimën, sepse ju e dini se pas ngjarjeve të marsit kishte një situatë kur ishte në luhatje gjithçka."
Ne e kemi kthyer një klimë të mirë në institucione, në popullatë dhe në vetëdije se ky proces duhet të shkojë përpara dhe në njëfarë mënyre krejt procesi i zhvillimeve në Kosovë po varet nga kjo.
Mirëpo, këshilltari për kthim i kryeadministratorit Jessen Petersen thotë se problemi kryesor qëndron në mungesën e një vendimi global për kthimin:
"Personalisht mendoj se para së gjithash nuk është sjellë një vendim i madh, global që serbët në këtë moment duhet të kthehen," tha Nenad Radosavljeviç, sipas të cilit sikur kjo të bëhej, atëherë shumë lehtë do të tejkaloheshin të gjitha pengesat e tjera:
"Pengesë janë liderët shqiptarë që propagandojnë pavarësinë si të ardhmen e vetem për Kosovën dhe në këtë mënyrë blejnë votat e atyre që kanë zënë shtëpitë e serbëve dhe nuk janë të interesuar për kthimin e serbëve," tha Radosavleviç, duke përmendur si problem tjetër vetë UNMIK-un, që sipas tij u jep shansin që të merren me këtë çështje njerëzve që frikësohen ose që kanë urrejtje ndaj serbëve dhe në këtë mënyrë pengojnë procesin.
Mirëpo, Zenun Pajaziti thotë se procesin e ka penguar në masë të madhe Beogradi dhe mospjesëmarrja e serbëve vendorë në grupet për përmbushjen e standardeve:
"Prej se ka filluar ideja e standardeve, ata kanë qenë kundër dhe e kanë sabotuar këtë proces. Në përgjithësi, Beogradi ka pasur qëndrim injorues dhe sabotues aq sa ka pasur fuqi, por kjo aspak nuk duhet t’i zbehë përpjekjet e tona në këtë drejtim," tha Zenun Pajaziti, sipas të cilit në këtë mënyrë po krijohet përshtypja se Beogradi përcakton rrjedhën e të gjitha proceseve në Kosovë.
Sidoqoftë, thotë koordinatori për standardet Zenun Pajaziti, kthimi varet nga rrethanat e përgjithshme në Kosovë, e para së gjithash nga siguria, liria e lëvizjes dhe infrastruktura tjetër, që në masë të madhe janë kompetenca të UNMIK-ut. Ai thotë se grupet punuese për implementimin e standardit janë në njëfarë mënyre mekanizma teknikë. Mirëpo, zoti Pajaziti mendon se megjithë këtë vendorët kanë obligim moral për të krijuar parakushtet për kthimin e pakicave, në mënyrë që të mos u ndodhë komuniteteve në Kosovë, ajo që u ka ndodhur më parë shqiptarëve shumicë.
XS
SM
MD
LG