Ndërlidhjet

logo-print

GJUKANOVIQ:"REFERENDUMI MË SË LARGU DERI NË FILLIM TË VITIT 2006"


Milo GJUKANOVIQ, kryeministër i Malit të Zi


RADIO EVROPA E LIRË
Tash sa kohë jeni duke u propozuar zyrtarëve të Serbisë bisedime për ri-definimin e marrëdhënjeve Serbi – Mali i Zi. Reagimet e deritashme dëshmojnë jo-gatishmërinë e Beogradit për të biseduar në këtë temë. Pasi që bisedime me gjasë nuk do të ketë, si do të veproni mëtutje dhe ku janë shkaqet e refuzimit të Beogradit?

MILO GJUKANOVIQ
Ka dy mënyra të zgjidhjes së problemeve. Një është zbatimi konsekuent i Marrëveshjes së Beogradit. Pra, mbajtja e referendumit kushtuar statusit shtetëror – juridik të Malit të Zi, pas kalimit të afatit tre – vjeçar nga Marrëveshja e Beogradit. Kjo duhet të realizohet më së largu deri në fillim të vitit 2006. Por, është edhe opcioni i dytë që ne e propozojmë dhe ai konsiston në ndërtimin e partneritetit me Beogradin për tejkalimin e situatës. Mendojmë se kjo është një zgjidhje racionale dhe më pak traumatike edhe për ne, por edhe për faktorët e interesuar rajonal. Nëse në këtë plan nuk do të arrijmë asnjë ujdi, atëherë nuk mbetet tjetër pos rrespektimi i dispozitave nga Marrëveshja e Beogradit. Pyetjes së juaj se përse nuk ka gatishmëri në Beograd për të zgjidhur këtë çështje, unë i përgjigjem: shkakun duhet kërkuar te jo - stabiliteti politik në Serbi. Beogradi është i preokupuar me problemet e veta të brendshme dhe rrjedhimisht ata vështirë diferencojnë partnerët që ofrojnë zgjidhje për problemet siç kemi bërë me këtë rast ne. Propozimi që ne i kemi ofruar Serbisë për transformimin e Unionit Serbi – Mali i Zi në një Union të shteteve të pavarura është jo më pak në interesin e Serbisë se të Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga Unionin Evropian kanë arritur sinjale se lidhur me zgjedhjet për Parlamentin federal ata do të miratojnë çdo zgjidhje që arrihet në marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës. A ka gatishmëri që së paku në këtë temë të bisedohet, pasi që mandati i Parlamentit skadon shumë shpejt?

MILO GJUKANOVIQ
Pres që në këtë plan të jetësohet një marrëveshje. Pavarësisht që nga Unioni Evropian thonë se do të pajtohen me çfardo marrëveshje tonë, nuk mendoj se kjo do të thotë se ne do të pajtohemi edhe për modelin e zgjedhjeve. Ne përmes zgjedhjeve duhet të sigurojmë kushte për funksionimin e Marrëveshjes deri në afatin e skadimit të saj. Përmes zgjedhjeve synojmë të ruajmë stabilitetin në mënyrë që referendumin për statusin e Malit të Zi ta organizojmë në një ambient demokratik i cili do të mundësoj artikulimin e vullnetit autentik të banorëve të Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni intensifikuar kontaktet me vendet e ish – Jugosllavisë, Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Maqedoninë. A keni mbështetjen e tyre për pavarësinë e Malit të Zi, pasi që nga aspekti i sigurisë rajonale kjo është një komponent e rëndësishme?

MILO GJUKANOVIQ
Pajtohem me vlerësimin se është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë për ne fqinjët tanë. Është gjithashtu e rëndësishme që vendet për rreth nesh ta shohin Malin e Zi si faktor stabiliteti dhe jo si faktor potencial destabilizues. Por, në rrethanat ekzsituese nuk duhet pritur që vendet në rajon të deklarohen se çfarë statusi të Malit të Zi dëshirojnë. Megjithate qëndrimi i tyre ndaj politikës sonë dhe Malit të Zi më së miri mund të përmbledhet me një fjali të ish – presidentit slloven Milan Kuçan të thënë para disa vitesh, ku ai kishte potencuar: "Sllovenia nënkupton që të gjitha vendet në teritorin e ish – Jugosllavisë të kenë atë të drejtë që Lubjana për vete e siguroj në vitin 1991". Rrjedhimisht, çdo gjë varret nga ne.

Intervistoi: Slavica BRAJEVIQ

XS
SM
MD
LG