Ndërlidhjet

KFOR: INCIDENTET NDIKOJNË NEGATIVISHT NË GJENDJEN E SIGURISË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Kampi Bondsteel

Incidentet e fundit si shpërthimi në një ndërtesë tregtare në Ferizaj njëzet ditë më parë, ndikojnë negativisht në situatën e sigurisë, ka thënë komandanti i forcave amerikane të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Tod Carmony. Ai tha po ashtu se ky ishte një incident i izoluar, ndërkohë që nuk ka të dhëna për trazira në të ardhmen apo për ndonjë formë kërcënimi terrorist kundër forcave amerikane në Kosovë.
Këto komente, komandanti i Brigadës Shumëkombëshe të Lindjes, që është zonë e përgjegjësisë së forcave amerikane të KFOR-it, gjenerali Tod Carmony, i ka bërë sot në një takim me gazetarët në kampin Bondsteel, me ç’rast ka njoftuar se gjendja shëndetësore e rreshterit Paul Culkin i lënduar në shpërthimin e një autobombe në ndërtesën tregtare Benaf, afër Ferizajt është e mirë:
"Ne e shohim këtë si një ngjarje kriminale, që nuk ishte e drejtuar kundër KFOR-it, ndërsa vazhdimi i incidenteve të këtilla do të ndikojë në situatën e përgjithshme të sigurisë," tha gjenerali Carmony. Ai tha se KFOR-i shpresonte që ky ishte një incident i izoluar, por vazhdimi i incidenteve të tilla do t’i shtyjë forcat paqëruajtëse të ndërmarrim veprime shtesë:
"Këto incidente ndikojnë shumë negativisht në situatën e sigurisë dhe përderisa do të kemi probleme të tilla, kjo do të ndikojë për dekurajimin e investorëve," tha gjenerali Tod Carmony.
Ai tha se KFOR-i si edhe Shërbimi Policor i Kosovës janë të gatshëm të përballen me situata trazirash, pasi janë hequr kufizimet që kanë penguar një përgjigje të prerë të forcave të sigurisë ndaj përgjegjësve për trazirat e marsit. Ai tha po ashtu se janë siguruar edhe pajisje shtesë për këtë gjë, mirëpo ka mohuar informacionet për trazira në të ardhmen:
"Nuk kemi ndonjë indikacion për trazira në të ardhmen. Kremitimi i Ditës së Flamurit shqiptar kaloi mirë, me gjithë turmat e mëdha të njerëzve, si në Skënderaj," tha gjenerali amerikan, Carmony për të shtuar se pas trazirave trë marsit, KFOR-i dhe SHPK po përpiqen të përmirësojnë aftësinë e tyre për t’u përballur me situata të ngjashme.
Gjenerali Carmony ka mohuar edhe njoftimet në media për mundësinë e veprimit të organizatave terroriste si Al Qaida në Kosovë:
"Ne kemi kapacitete të konsiderueshme të kundërzbulimit dhe nuk kemi kurrfarë indikacionesh se ushtarët e KFOR-it apo kampi Bondsteel është nën ndonjë kërcënim tani për tani," tha gjenerali Tod Carmony, duke hedhur poshtë po ashtu pohimet një ish-përkthyesi serb që ka punuar katër vjet në kampin Bondsteel, i cili në një libër të tij botuar pak kohë më parë në Beograd, ka thënë se misioni i kampit Bondsteel është spastrimi etnik i Kosovës nga serbët. Të gjithë që e kanë vëzhguar punën e forcave amerikane dinë për përkushtimin amerikan për Kosovën shumetnike, tha komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Carmony.
XS
SM
MD
LG