Ndërlidhjet

PROBLEMET EKONOMIKE, PËRPARËSI E QEVERISË SË RE TË MAQEDONISË


Sefer Tahiri, Shkup

Prioritete kryesore të qeverisë së re të Maqedonisë, e cila do udhëhiqet nga kryetari i ri i Lidhjes Socialdemokrate Vllado Buçkovski, do të jenë përmirësimi i gjendjes ekonomike, përkatësisht zvogëlimi i numrit të të papunëve, i cili sillet në rreth 400 000 persona, si dhe lufta kundër varfërisë, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferri, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se kusht për zhvillimin ekonomik janë marrëdhëniet e mira ndëretnike, si bosht për stabilitetin e vendit.
"Qytetarët me të drejtë presin që hapja e rrugës drejt integrimeve evroatlantike do të ketë edhe përfitime ekonomike. Do t'ju mundësonin investorëve të huaj që një vend i cili ka marrë përfundimisht rrugën drejt integrimeve evropiane, aty duhet të investohet dhe do të ketë një qarkullim më të mirë ekonomik, do të ketë punësime, do të ketë ndërtime të tjera dhe ne do t'i kushtojmë kohë dhe energji që të ofrojmë investorë të jashtëm, të hapim perspektiva për investime".
Përfaqësuesit qeveritarë thonë se për shkak të zhvillimeve turbulente politike, pushteti nuk ka mundur të përqëndrohet në zhvillimin ekonomik, prandaj Maqedonia tani ka gjasa reale që të ecë përpara. Por kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili ka qenë Ministër i Financave në qeverinë e Lubço Georgievskit, thotë se as qeveria e re nuk do të bëjë ndryshime pozitive në aspektin ekonomik.
"LSDM-ja nuk ka kapacitet serioz që të udhëheqë shtetin dhe nuk pres ndryshime të rëndësishme në planin ekonomik dhe në atë të zvogëlimit të papunësisë dhe të varfërisë në Maqedoni," tha Gruevski duke shtuar se nuk është optimist në këtë drejtim, megjithëse duhet t'i jepet shans Buçkovskit që të shihet se çfarë do të bëjë në këtë sferë.



XS
SM
MD
LG