Ndërlidhjet

SATELITI I RI VËZHGON SHPËRTHIMET NË GJITHËSI


Jan Jun

Një satelit ndërkombëtar është lëshuar në gjithësi për t'i vëzhguar shpërthimet e mëdha që ndodhin në qiejt.
Sateliti "Swift" do të përpiqet t'i regjistrojë rrezet vdekjeprurëse Gama, të cilat e shoqërojnë krijimin e të ashtuquajturave "vrima të zeza" në gjithësi.
Kollapset e yjeve masive shkaktojnë shpërthime, të cilat lirojnë më shumë energji se sa liron dielli ynë për 1 milion vjet.
Nëse rrezet Gama do të shpërthenin afër sistemit tonë diellor, atëherë rrezatimi do të mund ta shkatërronte tërë jetën në planetin e Tokës.
Për çdo ditë në gjithësi ndodhin shpërthime të paimagjinueshme. I fundit zgjati vetëm disa sekonda dhe u zhduk përpara se të mund të studjohet. Shkencëtarët i quajnë ato "shpërthimete të rrezeve gama".
Tim Stevenson është kryeinxhinier në Qendrën Kërkimore të Gjithësisë në Universitetin Leicester të Britanisë së Madhe.
"Këto janë ngjarje shumë, shumë të dhunshme që fatmirësisht ndodhin diku larg nesh në gjithësi. Ato mund të krahasohen me lindjen e universit në kuptimin e ashpërsisë dhe zakonisht ndodhin një herë në ditë. Ajo që kemi mësuar për shpërthimet e tilla, vetëm i ka justifikuar përpjekjet për t'i studjuar ato", thotë Stevenson.
Shkencëtarët besojnë që shumica e këtyre shpërthimeve janë përcjellë me lindjen e vrimave të zeza. Ato formohen kur yjet gjigande kollapsojnë dhe i japin fund jetës së tyre. Gravitacioni i krijuar me këtë rast, është aq i madh, sa tërheq gjithçka me vete. As drita s'mund të shpëtojë, prandaj quhen vrima të zeza.
Stevenson thotë se po të ndodhte njëri nga këto shpërthimet afër sistemit tonë diellor, kjo do të ishte fund për jetën në Tokë.
"Gjëja më e rëndësishme për ne është t'i kuptojmë rrethanat, në të cilat shpërthejnë rrezet Gama, e pastaj t'i shohim rrethanat e reja që mund të krijohen", thotë Stevenson.
Tom Kennedy është anëtar i ekipit Swift nga Laboratori Shkencor Mullard në Londër.
"Mendoj se kemi arsye për të qenë mjaft të frikësuar nëse diçka e tillë ndodh afër nesh. Kjo është shumë e thjeshtë", thotë Kennedy.
Sateliti Swift u lëshua në orbitën e Tokës në fillim të muajit dhe qarkullon në lartësi rreth 600 kilometra. Tre teleskopët që ka, mund t'i vështrojnë shpërthimet, dhe pastaj sinjalet t'i dërgojnë në observatorët në Tokë. Një ndërmarrje e tillë si Swift kërkon përpjekje të gjera ndërkombëtare.
"Kjo punë e veçantë kërkon angazhim të madh të teknologjisë ekzistuese dhe zbatimin e saj në kushtet e reja. Teknologjia e tillë gjendet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali, kurse amerikanët na ftuan ta përdorim një teknologji të tillë. Nëse bashkëpunojnë më shumë vende, atëherë është më lirë dhe më mirë", thotë Stevenson.
Kennedy thotë se përveç shkencëtarëve amerikanë dhe britanikë, janë angazhuar edhe shkencëtarë nga Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Danimarka, Spanja dhe Afrika e Jugut.
Ai thotë se me rrjetin e observatorëve në mbarë globin, sateliti Swift mund të fillojë punën nga fundi i vitit. Zbulimet e tij, një ditë mund të jenë të paçmueshme për të siguruar mbijetesën e njerëzimit.

XS
SM
MD
LG