Ndërlidhjet

logo-print

KIEV


Presidenti në largim i Ukrainës Leonid Kuchma sot publikisht e mbështeti idenë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale, si mënyrë për të zgjidhur krizën politike në vend.
Në fjalimin në televizion, Kuchma tha se nëqoftëse zgjedhjet e reja do të ndihmonin të ruhet "paqja dhe konsenzusi" në mbarë vendin, atëherë votuesit ukrainas sërish do të duhej të votonin.
"Edhe disa ditë, sistemi ynë financiar do të kollapsojë, dhe as presidenti, e as qeveria nuk do të mund të konsiderohen përgjegjës për këtë. Ne as që mund të punojmë normalisht", tha Kuchma, i cili shtoi se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, nuk do të synojë mandatin e tretë.
Ukraina u fut në një krizë akute politike pasi kandidati opozitar Viktor Yushchenko i sfidoi rezultatet zyrtare, të cilat i dhanë fitoren rivalit të tij, kryeministrit Viktor Yanukovich.
Gjykata Supreme sot filloi ti shqyrtojë pohimet e opozitës për mashtrimet në votime, ndërsa vendimi ndoshta mund të jepet nesër.
Po sot, Yushchenko tha se do të kërkojë nga parlamenti, që nesër të votojë mocionin e mosbesimit për kryeministrin Yanukovich.
Bashkimi Evropian dhe NATO-ja bënë thirrje për unitetin e Ukrainës, pas disa kërcënimeve me referendum për ndarjen e vendit në gjysmën lindore dhe perëndimore.
Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Javier Solana tha se "uniteti i Ukrainës është fundamental".
"Ajo që duhet të shmangim me të gjitha mjetet e mundshme është shpërthimi i dhunës në Ukrainë. Ky është një problem i vështirë, por duhet të zgjidhet me mjetet ligjore dhe politike", tha Solana.
XS
SM
MD
LG