Ndërlidhjet

logo-print

AHMETI: ENDE HERËT PËR MINISTRINË E MBROJTJES


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, tha për Evropën e Lirë se qeveria e re do të fokusohet në hartimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe atij për simbolet kombëtare, me të cilat rrumbullakësohet Marrëveshja e Ohrit.
"Kanë mbetur edhe dy ligje, Ligji për Simbolet Kombëtare dhe Ligji për Gjuhën. Sigurisht se shumë shpejt ato do të gjenden para legjislativës, kështu që ato ligje, të cilat janë miratuar në parlament duhet të zbatohen, të veprohet me veprime konkrete", tha Ali Ahmeti, duke theksuar se brenda tre apo katër ditëve do të arrihet marrëveshje konkrete rreth ndarjes së dikastereve ministrore, pa dashur të komentojë se cilat ministri do t'i drejtojë BDI-ja.
"Sigurisht që Bashkimi Demokratik për Integrim do të udhëheqë me dikasterë mjaft të rëndësishëm brenda këtyre dy viteve, mirëpo në detaje do të shohim".
Rreth zërave se Bashkimi Demokratik për Integrim është i interesuar për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, një nga shtyllat kyçe të sistemit të sigurisë, Ali Ahmeti tha:
"Mendoj se është akoma herët që ne të kemi Ministrinë e Mbrojtjes, sepse reformat janë të dhimbshme. Edhe kjo ministri do të përfshihet nga reformat, kështu që unë nuk dua të jem pjesë e dhimbjes."
Ndërkohë duke komentuar informacionet se në komunën e Kondovës së Shkupit egzistojnë grupe të armatosura, të cilat kanë e shpallur zonë të lirë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim vlerëson se bëhet fjalë më tepër për sensacion mediatik, sesa për një problem të vërtetë.
"Ne kemi patur probleme në të kaluarën dhe problemi i Kondovës vërtet, po e them me sinqeritet, që më tepër është zmadhuar nga mediat, sesa egziston realisht. Unë kam thënë që aty janë dy tre djem të rinj me të cilët duhet për ta zgjidhur problemin", përfundon Ali Ahmeti.

XS
SM
MD
LG