Ndërlidhjet

PËRFAQËSUES TË INSTITUCIONEVE SHPREHEN TË KËNAQUR ME FJALIMIN E PETERSENIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të presidencës dhe të qeverisë së Kosovës e kanë vlerësuar real raportin e djeshëm të kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen, para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarët thanë se diskutimet e zotit Jessen Petersen kanë qenë në linjë edhe me shqetësimet që institucionet kanë ngritur gjatë bisedave me kryeadministratorin.
Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se Përfaqësuesi Special Jessen Petersen, dha para Këshillit të Sigurimit një pamje të balancuar për gjendjen në Kosovë dhe për perspektivën afatshkurtër, deri në mesin e vitit 2005:
"Ai është konsistent dhe i vendosur për ta çuar Kosovën përpara. Është meritë e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, e më parë e ambasadorit Kai Eide, që i kanë kthyer standardet për Kosovën në një masë më reale, që deri në vjeshtën e sivjetshme qenë shndërruar në absolutisht të paarritshëm dhe në vend që të përgatitnin rrugën për të ardhur deri te statusi, për ne kosovarët te pavarësia, ktheheshin në pengesë për të arritur deri në cak",tha zëdhënësi i presidencës, Muhamet Hamiti.
Ndërkohë edhe qeveria e Kosovës i ka cilësuar vlerësimet e zotit Petersen në linjë me qëndrimet e institucioneve, tha zëdhënësja Mimoza Kusari-Lila:
"Zoti Petersen bëri një prezantim të detajuar të situatës në Kosovë që ishte pasqyrë reale e gjendjes së përgjithshme. Lirisht mund të thuhet se kësaj radhe kryeadministratori bëri një përfaqësim të denjë të gjendjes në Kosovë, konform të gjitha diskutimeve me liderët dhe institucionet e Kosovës".
Zëdhënësja Kusari-Lila tha se Petersen ka përfshirë të gjitha proceset që janë në zhvillim e sipër dhe ishte konform realitetit. Zëdhënësja e qeverisë tha gjithashtu se edhe paraqitja e standardeve prioritare nga shefi i UNMIK-ut, ishte në pajtim me qëndrimet e grupeve punuese për standardet:
"Jo shumë kohë më parë është bërë prioritizimi i standardeve nga ana e institucioneve vendore, përkatësisht nga koordinatori i qeverisë, që ka dalë si rezultat i takimeve të grupeve punuese për standardet, që është shumë e afërt me atë që ka prezantuar kryeadministratori dje para Këshillit të Sigurimit".
Me paraqitjen e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, i cili ndër të tjera u ka bërë thirrje serbëve të marrin pjesë në institucionet e reja, është shprehur i kënaqur edhe përfaqësuesi i "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë", Dragisha Kërstoviç. Megjithatë, ka thënë Kërstoviç, "mendoj se Petersen ka qenë paksa tepër optimist kur është fjala për shumë gjëra" dhe është shprehur skeptik nëse Këshillit Sigurimit do t’i ndihmojë zotit Petersen për të përbushur objektivat që ka paraqitur:
"Qëllimet e zotit Petersen janë të qarta dhe të mira dhe personalisht jam i kënaqur me diskutimin e tij në Këshillin e Sigurimit," tha Dragisha Kërstoviç.
Në anën tjetër, paraqitjen e përfaqësuesit të Serbisë në Këshillin e Sigurimit, zëdhënësi i presidentit Rugova, zoti Muhamet Hamiti e quajti vazhdimësi të politikës që ka ndjekur Beogradi në raport me Kosovën:
"Qëndrimi i përfaqësuesit të qeverisë së Beogradit është në vijën e qëndrimeve që ka mbajtur Beogradi në këto vite dhe sidomos sivjet para zgjedhjeve në Kosovë".
Gjithsesi, paraqitja e parë para Këshillit të Sigurimit e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, edhe pse, edhe këtë herë pa përfaqësuesit vendorë, është vlerësuar si paraqitje e shqetësimeve reale të institucioneve të Kosovës.



XS
SM
MD
LG