Ndërlidhjet

MBLEDHJA INAUGURUESE E PARLAMENTIT MBAHET MË 3 DHJETOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procedurat dhe rendi i ditës për seancën e parë inauguruese të Kuvendit të Kosovës, e paralajmëruar për ditën e premte më 3 dhjetor, janë në përfundim e sipër. Ndërsa rendi i ditës ka vetëm një pikë, atë të zgjedhjes së organeve më të larta të Kosovës, për procedurat që do të ndiqen ende ka disa paqartësi që shprehen nga grupet më të mëdha parlamentare. Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lulëzim Zeneli, tha se LDK-ja së shpejti do ta caktojë shefin e grupit të vet parlamentar, kurse në lidhje me procedurat, ai tha se ato tashmë janë përcaktuar nga partnerët e koalicionit. Zëdhënësi i LDK-së tha po ashtu, se janë tejkaluar dhe dilemat në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, për shkak se mandati i tij vazhdon deri në muajin mars të vitit të ardhshëm. Zeneli tha se pavarësisht këtij mandati, në seancën e parë do të zgjidhen të gjitha organet e reja të Kosovës:
“Normalisht si parti LDK-ja është e përgatitur. Tani mbeten edhe procedurat dhe rregullat parlamentare që janë pjesë edhe e Sekretariatit të Kuvendit. Përkushtimi ynë është në respektimin e plotë të procedurave të Kuvendit dhe besoj se seanca e parë do të rezultojë edhe me zgjedhjen e udhëheqësve të rinj të Kosovës”, tha Zeneli.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk është e përfshirë në koalicionin e ri, vlerëson se nuk është konsultuar fare deri tani në lidhje me procedurat që do të ndiqen në seancën e parë. Jakup Krasniqi, i propozuar nga kryesia e PDK-së për shef të grupit parlamentar, thotë se kjo parti, do të insistojë që në seancën e parë të respektohen të gjitha procedurat ligjore në lidhje me zgjedhjen e organeve të reja:
“Ne i kemi edhe Kornizën Kushtetuese, e cila në mënyrë mjaft të qartë i tregon procedurat që duhen ndjekur për zgjedhjen e organeve, pastaj është edhe rregullorja e parlamentit ku në një formë parashihet se si të zgjedhen organet dhe natyrisht që ne si grup parlamentar do të kërkojmë respektimin e ligjeve në fuqi për mbajtjen e seancës së parë dhe procedurave që duhet të ndiqen në atë seancë”, theksoi Krasniqi.
Në përfundim e sipër të përgatitjeve për seancën e parë, është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj partie, Ernest Luma, u shpreh i bindur se seanca inauguruese e të premtës do të rezultojë me zgjedhjen e të gjitha organeve të reja:
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për seancën e parë parlamentare. Grupi parlamentar i Aleancës është i gatshëm dhe mobil për të marrë pjesë në seancën e të premtes. Natyrisht, votimi do të bëhet në paket për institucionet, qeverinë, presidentin dhe institucionet e tjera të Kosovës”, pohoi Luma.
Pjesëmarrjen në këtë seancë e ka paralajmëruar dhe shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, i cili do të mbajë dhe një fjalim të rastit. Paraprakisht Petersen, me t'u kthyer nga Nju Jorku, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, do t’i takojë dhe njëherë liderët vendorë, një ditë para seancës inauguruese, për t’i diskutuar përfundimisht të gjitha detajet që do të ndiqen në procedurat për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës.


XS
SM
MD
LG