Ndërlidhjet

DITA E PAVARËSISË


WALL STREET JOURNAL

Pritet nga fundi i javës, të zgjidhem kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Nëse kjo ndodh, do ta marr postin pa iluzione për nivelin e detyrës që më pret.
Në dy dekadat e fundit, Kosova u përball me shumë tragjedi. Vetëm pak familje, pavarësisht nga përkatësia etnike, mbetën të padëmtuara. Unë personalisht i humba dy vëllezër në luftë, kushërinj të panumërt, miq dhe fqinj. Por jam krenar për rolin që luajta në mbrojtjen e popullit tim nga Sllobodan Millosheviqi dhe ithtarët e tij, dhe jam i gatshëm t'i mbroj aksionet e mia nga kritikat dhe aluzionet.
Prandaj e mirëpres vështrimin e dosjes sime nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, dhe jam i bindur se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë. Sidoqoftë, çdo përpjekje për të vënë shenjë barazie midis terrorit shtetëror të Millosheviqit dhe aksioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës, vetëm sa do ta vështirësojnë punën.
Ajo që tani duhet bërë, është të shihet përpara, e jo prapa. Të krijohet shtet përfshirës, demokratik dhe i pavarur në Kosovë, që i respekton të drejtat e gjithë qytetarëve, që është i drejtë dhe tolerant. Prej përfundimit të luftës së viteve 1998-99 dhe ndërhyrjes së NATO-s, kemi qenë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara në bazë të rezolutës 1244. Tani po i afrohemi fundit të këtij statusi të përkohshëm, dhe është koha Kosova ta marrë kontrollin mbi fatin e saj.
Bisedimet për statusin përfundimtar do të fillojnë në mesin e vitit 2005. Pres që të jenë të vështira. Ka çështje serioze lidhur me bashkësitë e pakicave, të cilat duhen zgjidhur. Gjithashtu ka mbetur një mosbesim mes Prishtinës dhe Beogradit. Megjithate, jam i bindur se mund t'i ndërtojmë urat, që do të na shpiejnë drejt besimit, mbi të cilin do t'i ndërtojmë strukturat e një shteti vërtetë përfshirës.
Gjithashtu jam i bindur, se shumë shpejt do ta arrijmë pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare. Është besimi im i patundur se pavarësia nuk është në papajtueshmëri me marrëdhëniet më të mira me Beogradin; përkundrazi, çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrën e vetme praktike, kështu që të gjithë të ecim përpara, t'i përmirësojmë jetërat e bashkësive tona dhe të krijojmë baza për siguri afatgjate në rajon.
Ne duhet t'i forcojmë institucionet tona, të ndërtojmë ekonomi tregu, të mundësojmë shërbime publike dhe ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët. Jemi duke filluar nga një pozicion tejet të vështirë, me papunësi të lartë dhe infrastrukturë të mjerë. Pa pavarësinë, as që mund ta fillojmë joshjen e investimeve të huaja aq shumë të nevojshme, të nënshkruajmë marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe, apo marrëveshje për investime.
Statusi i papërcaktuar megjithate ishte një çmim, të cilin e pranuam për t'i dhënë fund terrorit shtetëror dhe spastrimit etnik. Historia do t'i gjykojë ndërhyrjen e NATO-s dhe rolin pasues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë si vepra të humanizmit të madh, të guximit dhe urtësisë. Ne tani do të punojmë në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare për ta përmbushur mandatin e rezolutës 1244, dhe të ndërmarrim hapa drejt krijimit të një shteti të vërtetë demokratik evropian.
Prej përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, kam punuar palodhshëm me Kombet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar ardhmëri më të mirë për të gjithë kosovarët, për shqiptarët, serbët, romët, ashkalinjtë, turqit dhe të gjithë që jetojnë këtu. Shumë u arrit në pesë vitet e fundit, por ka edhe mjaft për t'u bërë. Jam i përcaktuar që të kemi sukses.

Ramush HARADINAJ, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
XS
SM
MD
LG