Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: QEVERIA E RE - PËRGJEGJËSE PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, aeroporti në Sllatinë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka premtuar që në raportimin e tij të radhës para Këshillit të Sigurimit në shkurt të vitit të ardhshëm do të shoqërohet nga qeveria e re e Kosovës, para së cilës sidoqoftë qëndrojnë detyra dhe përgjegjësi shumë të rëndësishme. Këto vlerësime zoti Petersen i ka bërë sot pasdite në aeroportin e Prishtinës me t’u kthyer nga një qëndrim disaditor në Shtetet e Bashkuara, ku ka paraqitur raportin tremujor për Kosovën:
"Këshilli i Sigurimit ka konfirmuar vendosmërinë për të përkrahur fillimin e bisedimeve për statusin pas vlerësimit pozitiv të përmbushjes së standardeve," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, sipas të cilit detyra e vështirë e përmbushjes së standardeve është sfida kryesore e qeverisë së re të Kosovës. Qeveria e re e Kosovës tani është përgjegjëse për çuarjen e procesit përpara, pasi ne e kemi hapur rrugën për këtë dhe kemi përkrahjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha Petersen, për të shtuar se qëndrimi i Nju Jorkut ishte i njëjtë me qëndrimin e tij lidhur me koalicionin e ri qeveritar ndërmjet LDK-së dhe AAK-së:
"Qëndrimi i Nju Jorkut është se mbështet qëndrimin tim, pasi këtu ka pasur zgjedhje të lira dhe të drejta, pas të cilave partitë janë ulur dhe janë marrë vesh për ndërtimin e një koalicioni të dy partive," tha Jessen Petersen. Ai tha se kjo ishte në kuadër të parimeve demokratike dhe se Këshilli i Sigurimit nuk mund të ketë asgjë kundër demokracisë. Duke komentuar ndërkaq faktin se kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj ishte marrë në pyetje nga Tribunali i Hagës, zoti Jessen Petersen tha se "në këtë fazë po shohim veprimin e demokracisë dhe nëse Tribunali shkon më tej, unë besoj se kjo do të jetë e mbështetur mbi parimet e drejtësisë, ndërsa Kosova do të përgjigjet në mënyrën që Evropa dhe bota e pret nga ajo," tha zoti Petersen.
Duke komentuar, ndërkaq përbërjen e qeverisë së koalicionit, Petersen tha:
"Ne kemi kërkuar të shohim listën e ministrave dhe deri sa unë nuk isha në Kosovë, zëvendësi im Larry Rosin ka bërë disa pyetje lidhur me disa nga emrat në listën e ministrave," tha Petersen.
Ai edhe një herë ka ftuar serbët e Kosovës që të jenë pjesë e dialogut dhe e procesit në Kosovë, pasi kjo është në interesin e tyre u shpreh Petersen.
Ai shpjegoi se këtë herë kishte shkuar i vetëm në Nju Jork, pasi edhe pse e kishte kryeministrin aktual Bajram Rexhepi që të shkonte me të në Këshillin e Sigurimit, vetë Rexhepi kishte konsideruar se më nuk ishte njeriu adekuat për këtë, ndërsa "për zotin Rugova dhe zotin Haradinaj kam menduar se është më mirë të mbeten në Kosovë dhe të vazhdojnë të punojnë për qeverinë dhe për programin e saj," tha shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
XS
SM
MD
LG