Ndërlidhjet

SARAJEVË


Misioni paqeruajtës i NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë ka përfunduar sot duke ia lënë vendin forcës së Bashkimit Evropian, Eufor.
Eufor do ketë të njëjtin rol dhe numër trupash si SFOR-i, me rreth 7 mijë ushtarë. Trupat e aleancës veriatlantike ishin në Bosnjë që nga viti 1995.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer në dorëzimin e misionit në Sarajevë e cilësoi atë si një rast historik.
"Sot NATO–ja përfundon misionin e forcës stabilizuese në Bosnjë e Hercogovinë dhe Bashkimi Evropian merr përgjegjësitë për operacionet stabilizuese. Ky është realisht një moment historik", tha Scheffer.
Shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, me këtë rast ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Bosnjën.
"Ne presim nga udhëheqësit vendor një angazhim të padiskutim në forcimin në mënyrë të përgjegjshme të institucioneve, demokracisë në vend dhe ekonomisë. Populli i Bosnjës nuk meriton më pak. Në të gjitha këto sfida që ju presin ju do keni gjithmonë mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s", tha Solana.
Ndërkaq në Bosnjë do të mbetet një zyrë bashkërenduese e NATO-s në kuadër të së cilës do jenë edhe disa qindra trupa amerikane, që kryesisht do të merren me kapjen e të akuzuarve për krime lufte.
Ndërkaq kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, ka deklaruar se shpreson që Bashkimi Evropian të bëjë një punë më të mirë në kapjen e të akuzuarve nga Gjykata krahasuar me punën e misionit të NATO-s.
XS
SM
MD
LG