Ndërlidhjet

ANNAN HEDH POSHTË KËRKESAT PËR DORËHEQJE


Robert McMahon

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, i ka kundërshtuar thirrjet për dorëheqje, të bëra nga një senator amerikan, i cili i heton abuzimet në programin e Irakut "Naftë për Ushqim".
Zëdhënësi i tij tha se Annan do t'i presë zbulimet e komisionit të pavarur dhe do ta shtyjë përpara agjendën e tij të reformave.
Administrata e Bushit sikur rri mënjanë nga komentet e senatorit Norm Coleman, por hetimet aktuale në Kongres dhe në media, vazhdojnë ta fokusojnë vëmendjen negative te programi, i cili po bëhet një njollë e madhe për reputacionin e Kombeve të Bashkuara.
Kritikat për menaxhimin e programit "Naftë-për-Ushqim" po fitojnë në intensitet, ndërsa senatori kyç amerikan bëri thirrje për dorëheqjen e Kofi Annanit. Në artikullin në Wall Street Journal, senatori Norm Coleman, shkroi se Annan duhet të japë llogari për atë, që Coleman e quajti mashtrimin më të madh në historinë e Kombeve të Bashkuara.
Senatori republikan kryeson hetimin në Kongres lidhur me akuzat për abuzimet e ndihmave humanitare për Irakun.
Por zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Fred Eckhard tha se Annan nuk do të tërhiqet. Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm nuk do të zbrapset nga planet e tij për t'i çuar përpara nismat për pengimin e përhapjes së HIV/AIDS-it dhe reformat në institucionet kyçe të Kombeve të Bashkuara.
"Annan nuk ka dëgjuar thirrje për dorëheqje nga asnjë shtet anëtar. Nëse flitet për këtë çështje nëpër margjina, kjo është në rregull. Ky është debat i shëndoshë, por ai ka ndërmend ta vazhdojë punën e tij të rëndësishme në dy vitet e mandatit që i kanë mbetur", tha Eckhard.
Nënkomiteti që drejton senatori Coleman, thotë se ka prova se qeveria e Saddam Husseinit ka përfituar më shumë se 20 miliardë dollarë nga fondet e paligjshme. Ai thotë se mungesa e mbikqyrjes nga ana e Annanit lejoi të ndodhë abuzimi.
Kritikët thonë se Annan i pengon hetimet e rëndësishme amerikane. Nil Gardiner është ekspert në Fondacionin Heritage.
"Një lider i mirë i Kombeve të Bashkuara do të bënte thirrje për të ndaluar abuzimet. Ai do ta zhveshte Saddam Husseinin nga ndikimi që kishte në programin, e në veçanti në përzgjedhjen e palës që i shitej nafta, nga e cila ai importonte mallra humanitare", thotë gardiner.
Por të tjerët mendojnë se fajësime të tilla janë të tepruara.
Lawrence Woocher menaxhon programet e politikave globale në Shoqatën e Kombeve të Bashkuara në Amerikë, një institut i pavarur politik. Ai i tha Evropës së Lirë se është e parakohshme dhe shumë e thjeshtë, të akuzohet Kofi Annan kur programi mbikqyrej nga Këshilli i Sigurimit dhe disa entitete private.
"Këtu ka shumë aktorë. Ne duhet të shkojmë deri në fund për të parë se si i kishin raportet dhe kush për çka ishte përgjegjës", thotë Woocher.
Programi "Naftë-për-Ushqim" u miratua në vitin 1996 nga Këshilli i Sigurimit, në kohën kur Iraku gjendej nën trysninë e gjerë të sanksioneve, që synonin çarmatosjen e vendit nga armët për shkatërrim në masë. Asokohe qeveria irakiene u lejua të shesë naftë për të blerë ushqim, ilaçe dhe mallra humanitare. Sekretariati i Kombeve të Bashkuara kishte rolin administrativ, kurse fuqinë për t'i mbikqyrur gjërat e kishte Këshilli i Sigurimit.
Por Saddami ia doli ta manipulojë programin dhe t'u bishtërojë sanksioneve duke trafikuar naftën dhe duke u dhënë rryshfete entiteteve publike dhe private.
Duke mohuar të përgjigjet lidhur me thirrjet për dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli, tha se Kofi Annan po bashkëpunon me hetimet mbi programin.
"Sipas pikëpamjes sonë, Kombet e Bashkuara, nën udhëheqësinë e Sekretarit të Përgjithshëm Annan, i mbështesin hetimet, e kuptojnë rëndësinë e çështjes dhe bëjnë punë të drejtë", tha Ereli.


XS
SM
MD
LG