Ndërlidhjet

EKSPERTËT MUSLIMANË HEDHIN POSHTË PËRPLASJEN E QYTETËRIMEVE


Don Hill

Në konferencën ndër-fetare në Pragë, të sponsoruar nga ish presidenti çek Vaclav Havel, një intelektual prominent mysliman e hodhi poshtë nocionin se bota është në prag të përplasjes së qytetërimeve të Lindjes dhe Perëndimit.
Pjesëmarrësit gjithashtu e sfiduan idenë se feja dhe pushteti duhet të jenë krejtësisht të ndarë.
Pas artikullit "Përplasja e qytetërimeve" në vitin 1993 të historianit Samuel Hantington, shumë vetë e kanë përshtatur këtë përplasje si përballje mes besimit islam dhe perëndimit. Kjo ide pas sulmeve terroriste të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara morri një tjetër kuptim.
Por studiuesi Tarik Ramadan e sfidon këtë ide, duke thënë se ajo nuk merr parasysh faktin se një numër i konsiderueshëm myslimanësh aktualisht janë pjesë përbërëse e qytetërimit perëndimor.
"Mendoj se ne duhet ta kapërcejmë këtë vizion dyfrontësh të realitetit, pasi përballja nuk është në kufij. Beteja është brenda shoqërive tona myslimane, pasi ne jemi ata që po provojmë demokracinë. Ndonëse është shumë e vështië dhe ka ende paragjykime e diskriminim. Por myslimanët, qofshin ata evropianë, amerikanë apo kanadezë, duhet të jenë të përfshirë në shoqëritë e tyre", shpjegon Tarik Ramadan, gjatë fjalës së tij në Forumin 2000 në Pragë.
Të tjerë pjesëmarrës në këtë takim sfiduan idenë e ndarjes së shtetit nga feja, ide që deri kohë më parë nuk mund të vihej në pikëpyetje.
Tomas Halik, një prift i njohur katolik çek, ish disident dhe aktualisht profesor në Universitetin e Karlit në Pragë, ishte një nga sfiduesit e kësaj ideje.
"Ky parim i ndarjes së shtetit nga feja ka baza historike, pasi ka mbrojtur liritë politike dhe qytetare nga sundimi i rrezikshëm i kishës apo kishave dhe njëherësh ka ruajtur pavarësinë e kishës nga ndërhyrjet e mundshme të shtetit. Por mendoj se ka shumë arsye që bëjnë që ky parim nuk mund të merret më si aksiomë, për të kuptuar marrëdhëniet mes fesë dhe jetës publike", tha Halik, që mbron në fakt një qasje të re në marrëdhëniet shtet-fe. "Autonomi dhe bashkëpunim mes qeverisë dhe feve", e quan Halik këndvështrimin e tij.
Hanna Barbara Gerl Falkovitz, që drejton katedrën e filozofisë së religjionit dhe studimeve krahasuese mes feve në Universitetin teknik të Dresdenit, në Gjermani, mbështet tezën e ish disidentit çek, priftit katolik Halik. Sipas saj shekulli i 20-të vuajti nga dy filozofi shtetërore që kërkuan të ndanin plotësisht shtetin nga feja, ajo nazi-fashiste dhe komuniste. Edhe Tarik Ramadan ndan afërsisht të njëjtën ide, duke theksuar se megjithatë, asnjë qeveri nuk duhet të deklarojë marrëdhënie të posaçme me Zotin.
"Për të pasur më shumë moral në politikë është e nevojshme një marrëdhënie me fenë. Por nuk duhet përdorur apo instrumentalizuar feja, në mënyrë të tillë që të thuhet "Zoti e bekoftë vendin tonë". Mendoj se Zoti duhet të bekojë të gjitha vendet e në të gjitha mënyrat dhe nëse diçka duhet të jetë, duhet të jetë për çështje parimore dhe jo vetëm për një vend. Mendoj se konceptimi se Zoti është me ne dhe jo me ju, është i gabuar", thotë Ramadan.
Tarik Ramadan sqaron se e ka bërë qëllim të jetës së tij të mendojë rreth myslimanëve në perëndim dhe rrugëve se si mund të mbetesh mysliman dhe njëherësh të jesh pjesë e perëndimit. Një gjë e tillë, sipas tij i ka krijuar probleme si në mes të perëndimorëve, ku ka lindur, studjuar e ku ka zgjedhur të jetojë, por edhe mes myslimanëve.
"E kam ditur që në fillim se kjo detyrë është kundërthënëse, pasi jam në mes të dy botëve. Unë jam një mysliman evropian, për çfarë tradicionalistët do më akuzonin për tradhëti ndaj fesë. Ndërsa për disa evropianë e amerikanë jam pak si shumë mysliman për të qenë perëndimor", thotë Ramadan, i cili është kritikuar për një numër shkrimesh, madje së fundi as nuk iu lejua të hyjë në Shtetet e Bashkuara për të dhënë mësim në një universitet amerikan.

XS
SM
MD
LG