Ndërlidhjet

logo-print

RRËNOHET MONUMENTI I KORRUPSIONIT!


Lutfi DERVISHI

Më 9 dhjetor në Ditën Botërore të Luftës kundër Korrupsionit, në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, në vendin ku ka qenë dikur monumenti i diktatorit Enver Hoxha, pritet të rrëzohet në mënyrë simbolike, një
tjetër monument,- monumenti i korrupsionit!
Tubimi organizohet, nga organizata jo qeveritare dhe me të janë solidarizuar, sindikatat, qeveri studentore, grupe të ndryshme interesi. Sipas njëindeksi të Transparency International, Shqipëria
renditet në një nga vendet problematike sa i përket luftës kundër korrupsionit. Tubimi synon të thyejë heshtjen dhe apatinë qytetare dhe të nxisë zemërimin ndaj këtij fenomeni.
Qeveria shqiptare, ka krijuar një njësi antikorrupsion pranë saj dhe ka miratuar legjislacion bashkëkohor,por problemi nuk qëndron vetëm tek mungesa e vullnetit politik dhe zbatimit të ligjeve, as tek dobësia e gjyqësorit për t’u marrë me këtë çështje, por tek
dobësimi i vlerave sociale dhe mungesa e transparencës dhe përgjegjshmërisë në administratën publike.
Në Meksikën e shekullit XVII, një nga poetet më të mëdha të këtij vendi, Sor Juana Ines de la Cruz pyeste: kush është më fajtor në një mëkat të bërë nga dy persona, ai që mëkaton për pagesë apo ai që paguan për të mëkatuar? Poetja dëshironte të shfaqte hipokrizinë e burrave që përçmonin karakterin moral të grave me të cilat kishin mëkatuar. Në kontekstin e sotëm, fjalët e kësaj poeteje tingëllojnë të vërteta në një botë ku mëkatarët mblidhen nën strehën e pasurisë dhe pushtetit. Korrupsioni gjithmonë kërkon dy palë: të korruptuarin dhe korruptuesin.
Kultura e vlerësimit sipas konsumit dhe zotërimit të mallrave, ka bërë që suksesi dhe prestigji personal të maten nga pasuria materiale dhe jo nga kontributi që jep individi në shoqëri. Shpirti i detyrës qytetare, përgjegjësisë për dhe para komunitetit, duket se nuk
ekzistojnë, veçanërisht tek të rinjtë. Kapitali shoqëror duhet të ketë prioritet mbi atë financiar, përndryshe një kulturë që mbështetet vetëm në mbledhjen e pasurisë materiale, është tokë pjellore për barin e keq të korrupsionit. Mbas viteve 90, nga një shoqërizim i detyruar, qytetarët kaluan në një individualizim ekstrem. Në shkolla tek nxënësit ende nuk kultivohet përkushtimi për të qenë shoqërisht i dobishëm.
Problemi tjetër qëndron me administratën publike. Xhejm Medison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se: “Nëse njerëzit do të ishin ëngjëj, asnjë qeveri nuk do të ishte e
nevojshme. Nëse do të ishin ëngjëj ata që do të drejtonin njerëzit, asnjë kontroll mbi qeverinë nuk do të ishte i nevojshëm, qoftë ky i brendshëm apo i jashtëm”. “Rrogat e ulëta” është justifikimi i
rëndomtë që përdoret për korrupsionin në administratën publike. Është e vërtetë që presioni i nënpunësit publik për të abuzuar me detyrën është më i madh kur ai jeton afër ose në nivelin e varfërisë, por nuk do të thotë që një rritje automatike e pagës do të bëjë mrekullinë. Shumica e atyre që bëjnë korrupsionin e madh kanë shumë më tepër se do t’u nevojiteshin e megjithatë, vazhdojnë pa reshtur përpjekjet për përvetësim. Një ngritje pagash në administratë mund të jetë efektive vetëm nëse është pjesë e një pakete tërësore për reformën në shërbimin civil, ku nismat e kompensimet e duhura fillojnë së bashkur me emërime të meritura, zëvendësime të punonjësve të korruptuar dhe trajnime të përshtatshme.
Tubimi i 9 dhjetorit përveçse thyerjes së apatisë dhe nxitjes së zemërimit qytetar mund të shërbejë si këmbanë ndaj qeverisë, institucioneve, drejtësisë dhe politikës, se një gjendje e tillë e korrupsionit nuk mund të tolerohet pafundësisht, pasi pasojë e
korrupsionit nuk është vetëm varfërimi i njerëzve, por edhe dobësimi i institucioneve demokratike.


XS
SM
MD
LG